Franca i kërkon sqarime Izraelit për bombardimin e zyrave mediale

  • E.K /
  • 19 May 2021 - 09:46
 Franca i kërkon sqarime Izraelit për bombardimin e zyrave mediale

Franca ka kërkuar nga Izraeli që t’i sqarojë kushtet dhe arsyet që qëndrojnë prapa një sulmi ajror mbi ndërtesën ku ishin zyrat e mediumeve ndërkombëtare, tha presidenti francez, Emmanuel Macron.

Ai gjithashtu njoftoi se Parisi është duke punuar për arritjen e një armëpushimi dhe përfundimin e dhunës mes Izraelit dhe palestinezëve.

“Siguria e gazetarëve dhe e atyre që punojnë për lirinë e të shprehurit… mbrojtja e tyre është vërtet përgjegjësi shumë e rëndësishme. Ambasada jonë është duke punuar në këtë çështje dhe ne po presim sqarime nga Netanyahu, ne flasim me të rregullisht”, deklaroi presidenti francez.

Deklarata e Macronit erdhi pas thirrjes së sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për një arsyetim nga Izraeli për shkatërrimin e ndërtesës ku ndodheshin zyrat e agjencisë amerikane të lajmeve, Associated Press, dhe Al Jazeera-s.

Izraeli ka thënë se një pjesë e ndërtesës ishte duke u përdorur nga militantët e Hamasit për një operacion të inteligjencës, shkruan Anadolu.

Vetë Associated Press ka kërkuar dëshmi nga Izraeli për pretendimet rreth pranisë së Hamasit dhe një hetim të pavarur për sulmin ajror që ia shkatërroi zyrat.

Organizata ndërkombëtare për medie, “Reporterët pa Kufij”, ka thënë se nga sulmet ajrore të Izraelit javën e kaluar janë shkatërruar zyrat e 23 mediumeve lokale dhe ndërkombëtare.

(Kosova Sot Online)