Agjencia amerikane, DEA deklarohet për aksionin e kapjes së 400 kg drogë në Lipjan

  • E.K /
  • 19 May 2021 - 11:26
 Agjencia amerikane, DEA deklarohet për aksionin e kapjes së 400 kg drogë në Lipjan

Agjencia Federale Amerikane e Anti-Drogës (DEA) ka konfirmuar se kapja e 400 kilogramëve kokainë në Lipjan të Kosovës ishte rezultat i një veprimi të përbashkët me disa polici dhe shërbime rajonale.

“Hetimi ishte një përpjekje e përbashkët e shumë agjencive shumëkombëshe që synonte krimin e organizuar transnacional. Shërbimet e “Guardia di Financa” nga Italia, Policia e Shtetit Shqiptar, SPAK nga Shqipëria, Policia e Kosovës dhe DEA (zyrat në Romë dhe Athine) ishin të përfshirë”, thuhet në përgjigje të një zëdhënësi të DEA-s.

Sipas tij, bashkëpunimi midis këtyre shërbimeve ka luajtur rol kryesor në këtë rast që çoi në identifikimin dhe sekuestrimin e 400 kilogramëve kokainë dhe arrestimin e shtatë personave.

Kokaina u kap dy ditë më parë në Lipjan, në një kamion transportues nga Amerika Latine nëpërmjet portit të Durrësit në Shqipëri.

Shtatë kosovarët që u arrestuan në aksionin e Policisë së Kosovës, ku u sekuestruan 400 kilogramë kokainë, pritet që të dalin sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë. Prokuroria ka kërkuar paraburgim për ta.

(Kosova Sot Online)