Hykmete Bajrami i kërkon Albulena Haxhiut që të zbardhet rasti i 2.1 milionëve

  • G.G /
  • 19 May 2021 - 13:10
Hykmete Bajrami i kërkon Albulena Haxhiut që të zbardhet rasti i 2.1 milionëve

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami i ka bërë thirrje ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu që të autorizojë organet e drejtësisë që të hetojnë rastin e 2.1 milionë eurove.

“Unë Hykmete Bajrami po u them të gjithë deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, se jetojë në Prishtinë. Vi çdo herë në Kuvend, sa herë ka seancë apo Komisione Parlamentare. Nuk fshihem askund. Ministrja e Drejtësisë e cila dje tha që e kam autorizuar prokurorinë që të merret me rastin e drogës, është mirë që me e autorizu çdo organ të drejtësisë që të merret edhe me rastin  e  2.1 milionëshit dhe me rastin e Hykmete Bajramit sepse duhet me u pastru njëherë e përgjithmonë kjo çështje”, ka thënë ajo.

Më tutje ajo tha se është ballëhapur dhe e pastër për rastin e  2.1 milionë eurove.

“Unë qëndrojë këtu. Jam ballëhapur jo vetëm sa kam qenë në Ministrinë e Financave por në të gjitha institucionet, prej vitit 1999 e këtej. Zbardheni këtë rast dhe mos u mundoni me ma mbyll gojën me 2.1 milionë. S’ma mbyllni asnjëherë sepse jam e pastër”, ka thënë ajo.

Ndaj kësaj deklarate të Bajramit, ka reaguar edhe ministrja Albulena Haxhiu.

Ajo tha se Bajrami po keqinformon për këtë çështje. Kjo pasi sipas Haxhiut, nuk është kompetencë e saj që ta autorizojë prokurorinë për të zhvilluar hetime.

“Më vjen keq që nuk jeni në dijeni për përgjegjësitë që i ka ministri në raport me rastet që hetohen nga prokuroria. Nëse nuk e dinë më lejo të njoftojë që ministri i Drejtësisë nuk ka të drejtë që ta autrorizojë prokurorinë që të nis hetime. Ministri i Drejtësisë i autorizon autoritetet e huaja që të vijnë në Kosovë. Guardia de Finanza ka qenë në Kosovë me autorizimin tim”, ka thënë Bajrami.

(Kosova Sot Online)