Protestojnë mijëra policë në këtë vend: Edhe ne kemi nevojë për mbrojtje

  • E.K /
  • 19 May 2021 - 15:20
 Protestojnë mijëra policë në këtë vend: Edhe ne kemi nevojë për mbrojtje

Mijëra policë francezë protestuan para ndërtesës së Asamblesë Kombëtare të mërkurën për të kërkuar nga qeveria që të luftohet dhuna kundër forcave të sigurisë dhe të vendosen dënime më të ashpra për dhunuesit.

Disa prej protestuesve brohoritën kundër ministrit të Punëve të Brendshme, Gerald Darmanin, i cili për një kohë të shkurtër mori pjesë në tubim dhe tha se ky veprim i tij është shfaqje e përkrahjes për policinë.

Sindikatat e policisë po ankohen se qeveria po dështon që t’i mbrojë oficerët nga sulmet e përditshme që po ndikojnë te disa që të frikësohen për ta kryer punën në zona të caktuara, shkruan Reuters.

“Kjo s’mund të vazhdojë më. Ju vërtet duhet të na mbroni. Po bëhet më keq”, u dëgjua duke i thënë ministrit Darmanin një oficer.

Sindikatat po kërkojnë një dënim minimal me burgim për të gjithë ata që sulmojnë ndonjë polic. Në një pankartë të protestuesve policë shkruhej “Të paguar për të shërbyer, jo për të vdekur”.

Kjo protestë u organizua pas vrasjes së një polici gjatë një operacioni kundër drogës dhe pas therjes për vdekje të një policeje afër stacionit policor. Të dyja rastet ndodhen brenda më pak se një muaji.

(Kosova Sot Online)