Pleqnarët e Afganistanit e arrijnë atë që s’mundën fuqitë botërore – armëpushimin

  • E.K /
  • 20 May 2021 - 10:51
 Pleqnarët e Afganistanit e arrijnë atë që s’mundën fuqitë botërore – armëpushimin

Udhëheqësit fisnorë në lindje të Afganistanit kanë arritur diçka që ka qenë synim i liderëve botërorë – armëpushim mes talibanëve dhe qeverisë afgane. Fatkeqësisht, marrëveshja për uljen e armëve do të vlejë vetëm për një muaj dhe vetëm për një rajon.

Armëpushimi njëmujor në distriktin Alingar të provincës Laghman, një ndër më të goditurat nga dhuna, u shpall për t’ua mundësuar fermerëve korrjen e grurit dhe studentëve hyrjen në provime, shkruan Reuters.

“Armëpushimi ka qenë diçka që shtetet më të fuqishme janë munduar ta vendosin në Afganistan, por, fatkeqësisht, nuk mundën”, thotë për agjencinë Reuters Jaber Alkozai, banor i Alingarit.

Udhëheqësit fisnorë hartuan një letër me kërkesë, e njohur me emrin lokal si “Ariza”, e cila më pas u nënshkrua nga liderët lokalë të talibanëve dhe qeverisë.

Armëpushimi, i cili do të zgjasë deri më 21 qershor, nuk është marrëveshja e parë e këtij lloji gjatë luftës së gjatë të Afganistanit, por u bë në kohë kritike për vendin. Luftimet janë shtuar gjithandej pas njoftimit të Shteteve të Bashkuara se do t’i tërheqë të gjitha trupat deri në shtator.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme dhe negociatave që janë zhvilluar në Katar e Rusi, fuqitë botërore deri tani nuk kanë arritur të sigurojnë armëpushim afatgjatë në tërë Afganistanin.

(Kosova Sot Online)