​Blerta Deliu-Kodra: Qeveria urgjentisht të krijojë task-forcën për trajtimin e rasteve të ngacmimeve sek*uale

  • E.K /
  • 20 May 2021 - 11:33
 ​Blerta Deliu-Kodra: Qeveria urgjentisht të krijojë task-forcën për trajtimin e rasteve të ngacmimeve sek*uale

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Blerta Deliu-Kodra ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të formojë task-forcën ndërinstitucionale për trajtimin e rasteve të ngacmimeve seksuale.

Deputetja Deliu-Kodra gjatë seancës në organin më të lartë legjislativ, deklaroi se është shqetësuese numri i madh i rasteve të ngacmimeve seksuale derisa thotë se organet kompetente duhet të merren më seriozisht me këtë çështje.

“Gjatë javës së kaluar raste të shumta të cilat janë raportuar edhe në media. Vetëm gjatë vitit 2020-të, në Policinë e Kosovës janë raportuar gjithsejtë 40 raste të ngacmimeve seksuale. Merreni me mend për ato raste të cilat nuk janë të raportuara dhe për të cilat institucionet nuk kanë informacion. Incidentet e fundit, rasti në Fushë Kosovë, rasti tragjik në komunën e Pejës dhe rastet e raportuara gjatë kësaj jave dëshmojnë se viktimat, dhunës apo abuzues janë të dy gjinive, të moshave të ndryshme. Përfshirë këtu edhe një fëmijë të moshës 6-vjeçare. Ndonëse në shumicën e rasteve, viktimat janë gra e vajza”, ka thënë Deliu-Kodra.

Sipas saj, mostrajtimi i rasteve është ndëshkim i serishëm i viktimave. Ajo ka kërkuar që urgjentisht të krijohet task-forca ndërinstitucionale për trajtimin e këtyre rasteve.

“Ftoj qytetarët që këto raste të mos heshtin, por të raportohen dhe të kërkohet llogari nga institucionet kompetente. Fshehja e abuzimit seksual u mundëson agresorëve që të mbesin të pandëshkuar. Dhe inkurajon agresorët potencial që të përsërisin veprimin. Mostrajtimi i këtyre rasteve prej institucioneve kompetente është ndëshkim i serishëm i viktimës. Asnjë qytetarë nuk duhet të braktiset nga shteti edhe atëherë kur familjet padrejtësisht mund të vendosin që të fshehin rastet abuzive[…]Kërkojë nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të krijojë një task-forcë ndërinstitucionale me përfaqësues edhe nga komuniteti i ekspertëve edhe nga organizatat e shoqërisë civile të specializuara në këtë fushë. Dhe ftoj që të kenë të gjitha resurset e nevojshme për trajtimin dhe hartimin e strategjive”, ka shtuar ajo.

(Kosova Sot Online)