Belgjika në kërkim të ushtarit të armatosur rëndë që kërcënoi para se të zhdukej

  • G.G /
  • 20 May 2021 - 13:02
Belgjika në kërkim të ushtarit të armatosur rëndë që kërcënoi para se të zhdukej

Policia speciale belge është duke kërkuar një ushtar të armatosur rëndë me qëndrime të së djathtës ekstreme, për të cilin besojnë se paraqet kërcënim serioz për publikun.

I dyshuari është identifikuar si Jurgen Conings, instruktor për të shtëna që me vete ka marrë edhe armatim.

Thuhet se personi në fjalë në të kaluarën e ka kërcënuar virologun Marc Van Ranst, i cili e ka udhëhequr menaxhimin e situatës me pandeminë në Belgjikë. Van Ranst dhe familja e tij janë dërguar në një vend të sigurt nga autoritetet.

Sipas raportimeve më të reja, rreth 350 policë dhe disa ushtarë janë angazhuar në një park afër kufirit me Holandën. Raportohet se në atë pjesë janë dëgjuar gjashtë të shtëna. Një rrugë u mbyll për shkak të operacionit policor.

Policia i bëri thirrje publikut që të mos i afrohet të dyshuarit, nëse ai shihet në ndonjë vend, por të informohen autoritetet. Sipas autoriteteve, ushtari i zhdukur paraqet nivelin më të lartë të rrezikut dhe mund të ketë plane për të sulmuar individë apo institucione.

Policia kërkoi disa orë në një pyll afër qytezës Dilsen-Stokkem, jo shumë larg shtëpisë së të dyshuarit në provincën e Limburgut, pasi një veturë me armë u gjet në atë pjesë.

Brenda veturës u gjetën katër hedhëse të raketave anti-tank dhe municion, por besohet se i dyshuari ka edhe armë të tjera dhe një jelek anti-plumb.

Policia e ka mbyllur parkun kombëtar “Hoge Kempen” me sipërfaqe prej 12 mijë hektarësh dhe disa baraka ushtarake janë mbyllur e ushtarëve u është ndaluar largimi.

(Kosova Sot Online)