Merkel: Është në rregull që Izraeli po bën veprime masive, ka të drejtë të vetëmbrohet

  • G.G /
  • 20 May 2021 - 13:32
Merkel: Është në rregull që Izraeli po bën veprime masive, ka të drejtë të vetëmbrohet

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, të enjten e mbrojti të drejtën e Izraelit për ta mbrojtur veten nga raketat e Hamasit dhe tha se vendi i saj është duke punuar për të siguruar një armëpushim të qëndrueshëm.

“Ne qëndrojmë për të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje dhe prandaj është në rregull që Izraeli po bën veprime masive”, deklaroi kancelarja gjermane në një intervistë për transmetuesin publik, WDR.

“Por, në anën tjetër, ne dëshirojmë që të kontribuojmë në përpjekjet diplomatike për të siguruar një situatë të qëndrueshme dhe afatgjate në rajon”, shtoi ajo.

Merkeli gjithashtu tha se Gjermania ka politikë me zero tolerancë ndaj anti-semitizmit pas disa sulmeve në sinagoga, të cilat ndodhën në të njëjtën kohë me luftimet mes Izraelit dhe palestinezëve.

Sipas shefes së qeverisë gjermane, çfarëdo bisedimesh rreth armëpushimit duhet t’i përfshijnë edhe negociatat e tërthorta me Hamasin, i cili e ka pushtetin në Rripin e Gazës.

Një zyrtar politik i Hamasit tha se beson që përpjekjet për arritjen e armëpushimit do të kenë sukses dhe se një rezultat konkret pritet në 48 orët e ardhshme.

Sipas zyrtarëve palestinezë, deri më tani në Gaza janë vrarë 228 persona, përfshirë mbi 60 fëmijë. Izraeli ka thënë se në territorin e tij deri më tash janë vrarë 12 persona.

(Kosova Sot Online)