Në Polici denoncohet një i moshuar, aktivistja thotë se e ndoqi dhe e ngacmoi një vajzë të mitur

  • E.K /
  • 20 May 2021 - 14:43
 Në Polici denoncohet një i moshuar, aktivistja thotë se e ndoqi dhe e ngacmoi një vajzë të mitur

Një rast i rëndë po raportohet se ka ndodhur sot në rrugën “Beteja e Koshares”, në Mitrovicë.

Aktivistja Neri Ferizi përmes një postimi në “Facebook”, ka njoftuar se një person rreth moshës 60-vjeçare, e ka ngacmuar seksualisht në rrugë një vajzë dhe i kishte ofruar para për tu takuar me të.

“Kjo shoqni ka rreshqit! Duke u kthy rruges per ne shtepi (me njemije probleme te mija) nje plak diku ne te 60-tat e tij e ndjekte nje vajze te re e cila filloj me kajt me lot duke i bertite atij: “A je normal o axh?” Kur u afrova, kjo vajza (e mitur) po tregon qe ky njeri e ndjeke shpesh duke i ofru edhe para per me u taku me te.  E thirra edhe policine por derisa u afrova, ai vec iku dhe nuk kam ndonje emer apo informate me shume, pervec pamjes se tij. Policia me premtoi qe ka me patrullu ne ate pjese”, ka shkruar Ferizi.

Këtë rast e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Ilmi Prekazi, ka thënë se janë njoftuar për këtë ngjarje dhe se policia është duke punuar për identifikimin e personit në fjalë.

“Po kemi marrë njoftim për një sulm seksual në rrugën ‘Beteja e Koshares’. E kemi dërguar një patrullë policore për të hetuar rastin. Vajza që ka raportuar rastin nuk e ka njohur më parë të dyshuarin. Policia është duke e hetuar tash këtë rast”, ka thënë ai.

Ndërkohë, sot u raportua edhe një rast tjetër i rëndë, ku një vajzë e re është dhunuar nga dy burra në fshatin Mazhiq të Mitrovicës.

(Kosova Sot Online)