Nevenka Tromp: Kosova duhet ta gjejë një vend mik për ta paditur Serbinë për gjenocid

  • E.K /
  • 20 May 2021 - 15:10
 Nevenka Tromp: Kosova duhet ta gjejë një vend mik për ta paditur Serbinë për gjenocid

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se gjatë mandatit të tij në krye të Qeverisë së Kosovës do të përgatitet padia për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës kundër Serbisë.

Megjithatë, vetë Kosova nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, meqë nuk është ende anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Nevenka Tromp profesoreshë në Universitetin e Amsterdamit, e që ka qenë edhe bashkëpunëtore e Tribunalit të Hagës për vite me radhë, e që ka bërë edhe një studim krahasues të titulluar “Vdekja në Hagë: gjyqi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviqit”, po thotë se duhet gjetur një shtet i tretë për ta paditur Serbinë për gjenocid.

“Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, e as nuk do të bëhet e tillë në të ardhmen e afërt. Procedurat ligjore për fillimin e procedurave të gjenocidit mund të marrin rrugë të ndryshme. Një nga ato mënyra është që një shtet i tretë anëtar i KB të padisë Serbinë në emër të Kosovës. Kjo u bë nga Gambia në emër të popullit Rohingya, të persekutuar nga shteti i Mianmarit. Kjo është rruga që Kosova mund të ndjekë, nëse gjejnë një shtet mik për të marrë atë përgjegjësi”, ka thënë Tromp për Al Jazeera.

Lidhur me padinë për gjenocid ndaj Serbisë, ditë më parë për express ka folur edhe Natasha Kandiq. Ajo ka sygjeruar që Kosova të mos e përgatis fare padinë, meqë konsideron se do të jetë e pamundur që Serbia të dënohet për gjenocid, marrë parasysh gjithë rastet dhe paditë e mëhershme nga Bosnja e Kroacia.

Kandiq ka thënë se do të jetë shumë e vështirë që të gjendet edhe ndonjë ekspert ndërkombëtar që do të mund t’i futet një aventure të tillë të vështirë, përveç ndonjërit që dëshiron vetëm të fitojë para.

Derisa kur ka folur për një shtet të tret që do të mund të ngriste padinë në emër të Kosovës, ka shprehur skepticizmin e saj sa i përket Shqipërisë dhe Edi Ramës.

(Kosova Sot Online)