Ushtarët s’e ndihmojnë djalin me shishe në ujë, e kapin kur del në breg

  • E.K /
  • 20 May 2021 - 15:42
 Ushtarët s’e ndihmojnë djalin me shishe në ujë, e kapin kur del në breg

Një adoleshent imigrant është incizuar duke përdorur shishe plastike për të mos u mbytur në ujë përderisa mundohej të arrinte në enklavën spanjolle Ceute, në Afrikën Veriore.

Djali, që duket të jetë i moshës 13- apo 14-vjeçare, shihet duke qarë përderisa ndodhet në ujin afër qytetit që po përballet me rritje të madhe të imigrantëve këtë javë, shkruan Independent.

Mijëra imigrantë nga Afrika kanë shkuar përmes notit ose e kanë kapërcyer rrethojën për t’u futur në territorin e vendit evropian në ditët e fundit.

Rreth 1.500 imigrantë që ia dolën të hyjnë në Ceuta nga Maroku këtë javë besohet se janë fëmijë dhe adoleshentë.

Në video, përderisa djali ndodhet ende në ujë, një ushtar shihet duke i thënë diçka nga bregu. Pasi djali arrin të dalë nga uji, mundohet të ngjitet nëpër një mur me gur afër plazhit, por pas tij vërsulet një ushtar. Më vonë, ai shihet duke u marrë nga dy ushtarë spanjollë.

Nuk dihet se çfarë ka ndodhur me fatin e të riut më vonë, por dëbimi i të miturve është i ndaluar me ligj në Spanjë.

Rritja e numrit të imigrantëve në copën spanjolle të tokës në skajin e Afrikës filloi të hënën, kur u duk se Maroku i lehtësoi kontrollet kufitare. Opozita në Spanjë ka thënë se kjo është hakmarrje për vizitën që lideri për pavarësi të Saharës Perëndimore zhvilloi në Spanjë.

(Kosova Sot Online)