Belgjika në alarm, ushtria angazhohet për ta kërkuar ushtarin e rrezikshëm

  • A.P /
  • 20 May 2021 - 15:45
Belgjika në alarm, ushtria angazhohet për ta kërkuar ushtarin e rrezikshëm

Ushtria belge iu bashkua forcave speciale të policisë të enjten për të zhvilluar kërkime për gjetjen e një ushtari të rrezikshëm e të armatosur rëndë, i cili është zhdukur pasi ka kërcënuar disa institucione e figura publike.

Rasti është bërë lajm kryesor në Belgjikë, pasi në veturën e braktisur nga instruktori ushtarak, Jurgen Conings, u gjet armatim i rëndë, përfshirë hedhëse të raketave anti-tank. Autoritetet besojnë se ushtari ka edhe armë tjera me vete.

Mediet lokale raportuan se ushtria dërgoi automjete të blinduara dhe pajisje për deminim për ta ndihmuar policinë që po e kërkon ushtarin e rrezikshëm në një park kombëtar me sipërfaqe prej 12 mijë hektarësh. Një rrugë në atë zonë është mbyllur për qarkullim.

Thuhet se personi në fjalë në të kaluarën e ka kërcënuar virologun Marc Van Ranst, i cili e ka udhëhequr menaxhimin e situatës me pandeminë në Belgjikë. Van Ranst dhe familja e tij janë dërguar në një vend të sigurt nga autoritetet.

Policia i bëri thirrje publikut që të mos i afrohet të dyshuarit, nëse ai shihet në ndonjë vend, por të informohen autoritetet.

Sipas autoriteteve, ushtari i zhdukur paraqet nivelin më të lartë të rrezikut dhe mund të ketë plane për të sulmuar individë apo institucione.

(Kosova Sot Online)