Vozitësi i trenit shkon në tualet gjatë vozitjes 150 km/h, angazhon konduktorin

  • E.K /
  • 21 May 2021 - 10:49
Vozitësi i trenit shkon në tualet gjatë vozitjes 150 km/h, angazhon konduktorin

Një vozitës i trenit në Japoni mund të dënohet për shkak se e la kabinën e tij në trenin e shpejtë gjatë vozitjes për të shkuar në tualet.

Ai i kërkoi konduktorit, i cili nuk kishte leje për drejtimin e trenit, që të qëndronte në kabinë dhe ta përcillte situatën gjatë kohës kur treni po lëvizte me shpejtësi prej 150 kilometrash në orë, raportojnë mediet lokale.

Treni “Hikari 633” ishte duke transportuar 160 pasagjerë gjatë këtij incidenti. Sidoqoftë, nuk raportohet për ndonjë problem gjatë udhëtimit. Pa marrë parasysh mungesën e pasojave, kompania e ka paraqitur rastin tek autoritetet dhe ka kërkuar falje.

Kompania “The Central Japan Railëay Company” tha se incidenti ndodhi të dielën në mëngjes dhe se treni ishte duke lëvizur në distriktin qendror, Shizuoka, shkruan BBC.

Vozitësi 36-vjeçar, emri i të cilit nuk është publikuar, kishte pasur dhimbje barku dhe pati nevojë që urgjentisht të shkonte në tualet. Raportohet se kabina u mbikëqyr nga konduktori për rreth tre minuta.

Sipas rregullave të kompanisë së trenave, nëse vozitësi nuk ndihet mirë, ai duhet ta kontaktojë qendrën e komandës së transportit. Vozitësi ka të drejtë që ta angazhojë edhe konduktorin në drejtimin e trenit, por vetëm në rastin kur konduktori ka leje të vozitjes së trenave.

Ndryshe, hekurudhat e Japonisë janë të njohura për efikasitetin, sigurinë dhe saktësinë në kohë. Incidentet hekurudhore në shtetin e largët aziatik janë të rralla.

(Kosova Sot Online)