Prokuroria e Pejës ngrit aktakuzë për përfaqësuesin juridik të “Kelkos-Energy” për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm

  • E.K /
  • 21 May 2021 - 11:19
 Prokuroria e Pejës ngrit aktakuzë për përfaqësuesin juridik të “Kelkos-Energy” për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë, kundër personit juridik SH.P.K “Kelkos Energy” dhe personit përgjegjës të personit juridik, të pandehurit G.W., për shkak të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Sipas aktakuzës, personi juridik SH.P.K “Kelkos Energy” dhe personi përgjegjës i personit juridik, G.W., me datë 30 prill të vitit 2020, rreth orës 16:50, në Deçan, konkretisht në segmentin e rrugës Deçan- Plavë, si pasojë e rrjedhjes së ujit nga kanali (tubacioni) i cili shërben për qarkullimin dhe mbledhjen e ujit dhe dërgimin e tij për furnizimin e hidrocentraleve, të cilat administrohen dhe menaxhohen nga SH.P.K “Kelkos Energy” e si pasojë e rrjedhjes së vrullshme të ujit shembët në tërësi dheu, ku shkakton dëme në rrugën e cila ishte përgatitur për asfaltim, në gjatësi prej tre kilometrave, duke i shkaktuar dëme materiale edhe punë kryesit të rrugës, të dëmtuarës SH.P.K “Lika Trade”.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se është kryer vepra penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Prokurori i shtetit i ka propozuar gjykatës kompetente, që i pandehuri G.W., dhe personi juridik SH.P.K “Kelkos Energy” , të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë.

*Fotografia ilustruese

(Kosova Sot Online)