Shefi gjerman i sigurisë kibernetike ka një paralajmërim për spitalet

  • E.K /
  • 22 May 2021 - 12:50
 Shefi gjerman i sigurisë kibernetike ka një paralajmërim për spitalet

Spitalet gjermane mund të jenë në rrezik të shtuar nga hakerët, tha shefi i agjencisë gjermane të sigurisë kibernetike të shtunën, pas dy sulmeve digjitale të profilit të lartë ndaj shërbimit shëndetësor në Irlandë dhe ndaj një naftësjellësi amerikan.

Operatori i shërbimeve shëndetësore të Irlandës i çaktivizoi sistemet e IT-së të premten e kaluar për t’i mbrojtur ato nga një sulm i madh kibernetik, duke i vënë në kolaps shërbimet diagnostike, duke e penguar testimin për Covid-19 dhe duke e bërë të detyrueshëm anulimin e shumë termineve për vizita mjekësore.

Klinikat gjermane kanë qenë cak i një vargu sulmesh kibernetike gjatë pesë viteve të fundit. Arne Schoenbohm, drejtor i agjencisë federale për siguri kibernetike, BSI, tha për gazetën “Zeit Online” se sheh një rrezik më të madh për spitalet.

Përpos spitaleve, Shcoenbohm tha se shumë biznese gjermane janë në rrezik të shtuar për të qenë cak i hakerëve për shkak të punës nga shtëpia gjatë pandemisë së koronavirusit, shkruan Reuters.

“Shumë kompani u detyruan që ta mundësojnë punën nga shtëpia brenda një kohe të shkurtër. Kompanitë shpesh i rregullojnë shumë ngadalë boshllëqet e njohura të sigurisë”, tha ai, duke shtuar se sistemet e IT-së kanë qenë më të ndjeshme ndaj sulmeve kibernetike gjatë kësaj periudhe.

(Kosova Sot Online)