Gjykata urdhëron që “burrit me brirë” t’i bëhet vlerësimi i shëndetit mendor

  • E.K /
  • 22 May 2021 - 16:20
 Gjykata urdhëron që “burrit me brirë” t’i bëhet vlerësimi i shëndetit mendor

Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara të premten urdhëroi që figurës së famshme, Jacob Chansley, i cili u bë i njohur gjatë trazirave të janarit në Capitol, t’i bëhet vlerësimi i shëndetit mendor.

Gjykatësi i Qarkut, Royce Maberth tha se ka vendosur për ekzaminim të aftësive të Chansley-t de ka urdhëruar që të pandehurit t’i bëhet kontrolli psikologjik. Gjykatësi tha se pjesë e ekzaminimit duhet të jetë edhe vlerësimi nëse Chansley i kupton apo jo akuzat kriminale për të cilat ngarkohet dhe nëse mund të asistojë në mbrojtjen e vetes.

Chansley, i njohur edhe si “burri me brirë” përballet me gjashtë akuza, përfshirë hyrjen me dhunë në obekt zyrtar. Ai ishte në mesin e qindra personave që me forcë hynë në ndërtesën e Capitol-it në fillim të janarit të këtij viti, pasi ish-presidenti Trump kishte mbajtur një fjalim ndezër me akuza të pabaza për mashtrim në zgjedhje.

Avokati i Chansley-t, Albert Watkins, tha se klienti i tij ka nevojë për kujdes shëndetësor. Sipas avokatit, ndonëse klienti i tij ka qenë një ndër pjesëmarrësit më të njohur në trazira falë garderobës së tij, ngjyrës në fytyrë dhe tatuazheve, ai nuk ka qenë i rrezikshëm, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

“Ai nuk ishte i dhunshëm. Ai nuk sulmoi. Au nuk vodhi, as nuk shkatërroi përderisa ishte në Capitol”, tha avokati i burrit tashmë të famshëm.

Nëse ekspertët vlerësojnë se ai ka të meta mendore, mund të shpëtojë nga akuzat. Por, një gjetje e tillë gjithashtu mund ta shtyjë gjykatën që të kërkojë që i pandehuri të trajtohet në mënyrë që t’i kthehet aftësia mendore.

Edhe nëse aftësia mendore nuk mund t’i kthehet të pandehurit dhe nëse ai nuk i plotëson kushtet për t’u gjykuar, ekziston edhe një mundësi që autoritetet ta mbajnë atë në ndalim – duke vlerësuar zyrtarisht se ai paraqet rrezik për publikun.

(Kosova Sot Online)