Arrestimi i policit për “marrje ryshfeti” në flagrancë, pritet kërkesa e prokurorisë për paraburgim

  • E.K /
  • 24 maj 2021 - 11:16
 Arrestimi i policit për “marrje ryshfeti” në flagrancë, pritet kërkesa e prokurorisë për paraburgim

Prokuroria Themelore e Pejës pritet të bëjë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj një zyrtari policor, i arrestuar dje për “marrje ryshfeti”.

Zyrtari i arrestuar ka qenë i angazhuar në policinë kufitare (stacioni policor kufitar i Qafë Prushit), ndërsa me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Shkodran Nikçi, zëdhënës në Prokurorinë Themelore të Pejës, tha se gjatë ditës do të kërkohet paraburgim për zyrtarin policor.

“Gjatë ditës, prokurori i shtetit do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit për veprën penale “marrje ryshfeti”,”, tha Nikçi.

Ndryshe, Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Hetimeve, dje ka arrestuar në flagrancë zyrtarin policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “marrje të ryshfetit”.

“Hetimi për këtë rast kishte filluar ditë më herët bazuar në informacionet e siguruara përmes rrugëve operative hetimore.

Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë edhe me Prokurorinë Themelore të Pejës në këtë rast kanë përdorur edhe masat e fshehta të hetimit dhe vëzhgimit”, ka njoftuar IPK.

(Kosova Sot Online)