Antony Blinken arrin në Izrael, synon forcimin e armëpushimit në Gaza

  • E.K /
  • 25 May 2021 - 09:18
Antony Blinken arrin në Izrael, synon forcimin e armëpushimit në Gaza

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të martën e filloi vizitën në Izrael, duke shpresuar se do ta forcojë armëpushimin e këtij shteti me Hamasin dhe se do të ndihmojë në përshpejtimin e ndihmave humanitare për Gazën e dëmtuar nga sulmet ajrore.

Në përputhje me qëllimet e vizitës së kryediplomatit amerikan, autoritetet izraelite thanë se do ta lejojnë hyrjen e karburanteve, ilaçeve dhe ushqimit për sektorin privat në Gaza, shkruan Reuters.

Blinken pritet që të martën në Jerusalem të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu, ndërsa në Ramallah me liderin e palestinezëve, Mahmoud Abbas.

Pritet që Blinken ta vizitojë edhe Ramallahun në Bregun e pushtuar Perëndimor, Kajron dhe Amanin. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara kanë shpresë dhe pritje që armëpushimi do të vazhdojë të respektohet.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se zgjidhja me dy shtete është përgjigjja e vetme për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez dhe premtoi ndihmë me shtetet tjera për ta ndihmuar rindërtimin e Gazës. Negociatat e paqes mes dy palëve janë bllokuar që nga viti 2014.

(Kosova Sot Online)