Ky vend po përballet me një “pandemi” tjetër, atë të minjve

  • E.K /
  • 25 May 2021 - 10:11
Ky vend po përballet me një “pandemi” tjetër, atë të minjve

Zonat rurale të Australisë viteve të fundit janë përballur me disa fatkeqësi – thatësira, zjarre dhe vërshime. Për pak kohë, fermerët u rehatuan pas kushteve të mira për zhvillimin e të mbjellave.

Sidoqoftë, këto kushte u shkuan për shtati edhe disa “armiqve” të fermerëve – minjve. Numri i tyre është rritur jashtëzakonisht shumë në rajonin e Uellsit të Ri Jugor. Tre fermerë i thanë BBC-së se kjo është përhapja më e madhe e minjve që ata e mbajnë në mend.

“Grurin e vendosur në qese plastike, ata (minjtë) e kanë ngrënë dhe e kanë shkatërruar. Ata shkojnë kudo që munden. Shumë shtëpi kanë mbetur pa mikrovalë e frigoriferë, minjtë ua kanë kafshuar kabllot”, thotë fermeri Norman Moeris.

Gjatë sezonit të shtimit, nga një mi mund të shtohen 500 minj të rinj. Prandaj, kontrollimi i popullsive të tyre gjatë një përhapjeje të madhe është pothuajse i pamundur, shkruan BBC.

(Kosova Sot Online)