Bjellorusia mundohet t’ia lë fajin Hamasit për arrestimin e gazetarit

  • E.K /
  • 25 May 2021 - 10:54
 Bjellorusia mundohet t’ia lë fajin Hamasit për arrestimin e gazetarit

Bjellorusia tha të hënën se një kërcënim i rremë për bombë është shkaku pse një aeroplan pasagjerësh u detyrua të aterronte në Minsk, me ç’rast u arrestua edhe një gazetar. Autoritetet bjelloruse thanë se kërcënimi ishte i shkruar nga Hamasi.

Autoritetet bjelloruse publikuan një letër për të cilën thanë se është teksti i kërcënimit për bobmë, ndërkohë zyrtarët po mundohen ta ulin presionin ndërkombëtar për arrestimin e gazetarit Roman Protasevich. Kryeqytetet perëndimore e kanë cilësuar arrestimin si akt të piratërisë shtetërore, shkruan Reuters.

Një zyrtar bjellorus i transportit e lexoi letrën për të cilën u tha se është shkruar nga Hamasi. Në letër thuhet: “Ne, ushtarët e Hamasit, kërkojmë që Izraeli të bëjë armëpushim në Rripin e Gazës. Ne kërkojmë që Bashkimi Evropian ta tërheqë përkrahjen e tij për Izraelin në këtë luftë. Në aeroplan është një bombë. Nëse nuk veproni sipas kërkesave tona, bomba do të shpërthejë mbi qiellin e Vilniusit më 23 maj.”

Ndaj këtij deklarimi të autoriteteve bjelloruse ka reaguar vetë Hamasi. Zëdhënësi i këtij grupi, Faëzi Barhoum, mohoi se Hamasi ka ndonjë njohuri apo lidhje me këtë kërcënim, shkruan Reuters. “Ne nuk kemi të bëjmë asgjë me këtë”, tha ai.

Minsku e detyroi aeroplanin e kompanisë Ryanair që të aterronte në Bjellorusi me arsyetimin se ka alarm për bombë. Sidoqoftë, alarmi doli të jetë i rremë posa aeroplani aterroi. Autoritetet e arrestuan njërin nga pasagjerët, gazetarin që njihet si kritik i presidentit autoritar, Aleksander Lukashenko.

Komandanti i forcave ajrore të Bjellorusisë, Igor Golub, tha se ekuipazhi i aeroplanit vendosi vetë që ta devijonte fluturimin drejt Minskut dhe se një aeroplan luftarak u dërgua në përcjellje të aeroplanit të pasagjerëve vetëm pasi aeroplani i Ryanair u nis drejt kryeqytetit bjellorus.

(Kosova Sot Online)