Shtohet numri i kompanive ajrore që e shmangin qiellin e Bjellorusisë

  • G.G /
  • 25 May 2021 - 12:38
Shtohet numri i kompanive ajrore që e shmangin qiellin e Bjellorusisë

Është duke u rritur numri i kompanive ajrore që po njoftojnë për pezullimin e fluturimeve të tyre nëpër hapësirën ajrore të Bjellorusisë, pasi ky shtet detyroi një aeroplan që ta ndërronte drejtimin dhe të bënte ulje në Minsk për të arrestuar më pas një gazetar që ndodhej brenda tij.

Kompanitë “Air France”, “Finnair” dhe “Singapore Airlines” janë në mesin e kompanive të fundit që i pezulluan fluturimet mbi Bjellorusi për të martën, një ditë pasi Bashkimi Evropian i bëri thirrje industrisë së aviacionit që t’i shmangë fluturimet nëpër qiellin e këtij shteti.

Të martën, Qeveria e Ukrainës tha se kompanitë ajrore të këtij vendi nuk do të lejohen që të kalojnë transit nëpër hapësirën ajrore të Bjellorusisë dhe se fluturimet mes dy shteteve do të ndërpriten nga 26 maji, shkruan Free Europe.

Kompania “Air France” tha përmes një deklarate se ka marrë shënime nga përfundimet e arritura në samitin e BE-së dhe i ka pezulluar fluturimet nëpër qiellin e Bjellorusisë deri në një njoftim të ardhshëm.

Të hënën, vendime të ngjashme për pezullimin e fluturimeve morën edhe kompanitë “Lufthansa”, “SAS” dhe “AirBaltic”. Lituania tha të hënën se nuk do të autorizojë ndonjë fluturim që kalon nëpër hapësirën ajrore të Bjellorusisë.

(Kosova Sot Online)