Kjo është kërkesa që ia bëri Ramush Haradinaj Albin Kurtit në takim

  • E.K /
  • 25 maj 2021 - 14:04
Kjo është kërkesa që ia bëri  Ramush Haradinaj  Albin Kurtit në takim

Zyra e Kryeministrit ka treguar kërkesën që kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ia ka bërë kryeministrit Albin Kurti, në takimin e sotëm.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, ZKM’ja ka bërë me dije se Haradinaj ka kërkuar përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog krahas Bashkimit Evropian.

“Z. Haradinaj kërkoi përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog krahas Bashkimit Evropian. Ai theksoi gatishmërinë e tij dhe të AAK-së për bashkëpunim me Qeverinë për tema të interesit nacional”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, Kurti thuhet se e ka njoftuar Haradinajn për takimet që pati me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel dhe për përgatitjet për procesin e dialogut të ardhshëm me Serbinë.

Komunikata e plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, priti në takim kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj dhe nënkryetarin e parë, Ardian Gjini.

Kryeministri Kurti e njoftoi z. Haradinaj për takimet që pati me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel dhe për përgatitjet për procesin e dialogut të ardhshëm me Serbinë.

Z. Haradinaj kërkoi përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog krahas Bashkimit Evropian. Ai theksoi gatishmërinë e tij dhe të AAK-së për bashkëpunim me Qeverinë për tema të interesit nacional. 

Takimit të sotëm me z. Hardinaj i ka paraprirë ftesa që kryeministri Kurti ua ka dërguar tre liderëve të partive opozitare, me qëllim të informimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar vazhdimisht se për çështjet me interes nacional do të konsultohet dhe do të kërkojë bashkëpunim të mirëfilltë me partitë dhe liderët opozitarë.

(Kosova Sot Online)