Uji nxjerr në bregdet kokainën, kjo është vlera marramendëse

  • E.K /
  • 26 May 2021 - 12:28
Uji nxjerr në bregdet kokainën, kjo është vlera marramendëse

Dy paketime të ndryshme me drogë me gati një mijë kilogramë kokainë, e cila do të shitej për rreth 80 milionë funte, janë gjetur në bregdet në Sussex të Anglisë.

Agjencia Kombëtare Kriminale, e njohur ndryshe edhe si FBI-ja britanike, tha se droga ishte e mbështjellë në qese që nuk u hyn uji dhe pakot ishin të kapura në jelekë jetëshpëtues për të qëndruar mbi ujë. Besohet se droga e gjetur e ka prejardhjen nga Amerika Jugore.

Kalimtarët e rastit i gjetën pakot me drogë në plazh në Hastings dhe Newhaven dhe më pas e njoftuan policinë lokale, e cila e mori drogën dhe e dërgoi në një vend të sigurt, shkruan Daily Mail.

“Kjo është sasi e konsiderueshme e drogës së klasit të parë, për të cilën mendojmë se ka prejardhje nga Amerika Jugore, por po shikojmë se si arriti droga deri këtu dhe se cili ka mundur të jetë destinacioni përfundimtar”, tha zyrtari Martin Grace.

Pesha e përgjithshme e drogës së gjetur në bregdet është rreth 960 kilogramë. Nëse do të shitej me pakicë, droga do ta arrinte vlerën e rreth 80 milionë funteve.

Grace tha se hetimet për këtë rast po zhvillohen nga policia lokale dhe kufitare, por pritet që në proces të përfshihen edhe partnerët ndërkombëtarë.

(Kosova Sot Online)