Armenia thotë se Azerbajxhani ia vrau një ushtar, a do të reagojë MPJ-ja e Kosovës

  • E.K /
  • 26 May 2021 - 13:10
 Armenia thotë se Azerbajxhani ia vrau një ushtar, a do të reagojë MPJ-ja e Kosovës

Ministria e Mbrojtjes e Armenisë tha të martën se një ushtar armen u vra gjatë shkëmbimit të të shtënave me forcat azere. Dy ish-republikat sovjetike zhvilluan luftime të përgjakshme vitin e kaluar, me ç’rast u vranë rreth 5.000 njerëz, shumica ushtarë.

Pas deklaratës së Armenisë, Ministria e Punëve të Jashtme e Azerbajxhanit e akuzoi vendin fqinj për rritje të qëllimshme të tensioneve në zonën kufitare përmes përhapjes së gënjeshtrave, shkruan Free Europe.

Ministria e Mbrojtjes e Armenisë tha se situata tani është e qetë pas përleshjeve në pikën kufitare “Verin Shorzha” të distriktit Gegharkunik. Kjo zonë është në kufi me një rajon që është marrë nën kontroll nga Azerbajxhani gjatë luftës së vitit të kaluar.

“Një ushtar është vrarë si rezultat i të shtënave që e pasuan hapjen e zjarrit nga trupat e Azerbajxhanit në një pikë kufitare në Armeninë lindore”, thuhet në deklaratën e ministrisë armene.

Vitin e kaluar, nga fundi i shtatorit deri në mesin e nëntorit, ushtria e Azerbajxhanit dhe forcat etnike armene në Nagorno-Karabak dhe përreth tij zhvilluan luftime që lanë të vrarë rreth 5.000 persona. Konflikti përfundoi me nënshkrimin e marrëveshjes së armëpushimit, të ndërmjetësuar nga Rusia.

Që nga ajo kohë, Rusia ka dërguar trupa paqeruajtëse për ta mbikëqyrur armëpushimin, ndërsa Armenia e Azerbajxhani kanë shkëmbyer qindra të burgosur.

Duke parë vullnetin dhe gatishmërinë e Ministrisë së Jashtme të Kosovës për të komentuar zhvillime ndërkombëtare, përfshirë arrestimin e një gazetari në Bjellorusi dhe gatishmërinë për t’i vendosur sanksione Birmanisë, një reagim i kësaj ministrie edhe për rastin e ushtarit armen nuk do të ishte shumë i befasishëm.

(Kosova Sot Online)