Ukraina e zhgënjyer me NATO-n: Si është e mundur që s’na ftuat në samit

  • E.K /
  • 27 May 2021 - 10:04
 Ukraina e zhgënjyer me NATO-n: Si është e mundur që s’na ftuat në samit

Ukraina e ka kritikuar mungesën e progresit në politikën “me dyer të hapura” të NATO-s rreth anëtarësimit të këtij shteti në aleancën më të fuqishme ushtarake në botë, duke thënë se nuk mund të kuptojë pse nuk është ftuar në samitin e NATO-s, që do të mbahet muajin e ardhshëm.

Përfaqësuesit e shteteve anëtare të kësaj organizate do të takohen më 14 qershor në Bruksel në përpjekje për t’i përmirësuar lidhjet transaltantike me Shtetet e Bashkuara nën pushtetin e presidentin Joe Biden në kohën e rritjes së tensioneve me Rusinë, shkruan Free Europe.

“Ne e kuptojmë dëshirën e aleatëve për të mbajtur një samit të mbyllur, por nuk kuptojmë si është e mundur që të mos ftohet Ukraina”, tha të mërkurën ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba.

“Kur ne në Ukrainë akuzohemi për reforma shumë të ngadalshme, çfarë mund të themi për miratimin dhe zbatimin e vendimeve të aleancës, të cilat janë mbuluar me pluhur për 13 vjet”, shtoi kryediplomati ukrainas.

Në një samit të NATO-s, që ishte mbajtur në Bukuresht të Rumanisë në vitin 2008, organizata kishte thënë se Ukraina do të mund të bëhej anëtare në të ardhmen.

Më herët këtë muaj, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, i bëri thirrje NATO-s që ta përforcojë praninë në rajonin e Detit të Zi dhe i kërkoi Uashingtonit që ta përkrahë synimin e Ukrainës për një plan veprimi në samitin e qershorit rreth anëtarësimit të vendit të tij në organizatë.

Kërkesa e presidentit ukrainas erdhi pasi Rusia grumbulloi mbi 100 mijë trupa afër kufirit me Ukrainën dhe në Krimenë e pushtuar. Ky ishte mobilizimi më i madh i ushtrisë ruse që nga viti 2014, kur Rusia e kishte pushtuar gadishullin ukrainas dhe kur në Ukrainën lindore kishte nisur lufta me separatistët pro-rusë.

(Kosova Sot Online)