Në këtë vend shtohet edhe një problem që mund t’i sjellë disa rreziqe

  • E.K /
  • 29 May 2021 - 11:54
 Në këtë vend shtohet edhe një problem që mund t’i sjellë disa rreziqe

Agjencitë qeveritare të Brazilit këtë javë paralajmëruan për thatësi në kohën kur shteti më i madh i Amerikës Jugore po përballet me motin më të thatë në 91 vjet, duke e shtuar frikën për krizë në hidrocentrale, dëmtim të të mbjellave dhe shtim të rrezikut për zjarre në pyjet e Amazonës.

Të enjten, Komisioni për Monitorimin e Sektorit të Energjisë, që është i lidhur me Ministrinë e Energjisë dhe Minierave, rekomandoi që rregullatori i ujërave ta shpallë gjendjen e pamjaftueshmërisë së ujit, pasi thatësia e zgjatur i goditi pjesët jugore dhe qendrore të vendit, përgjatë pellgut të lumit Parana.

Një agjenci për monitorimin e motit, e lidhur me Ministrinë e Bujqësisë, e lëshoi paralajmërimin e parë emergjent për thatësi nga qershori deri në shtator, duke thënë se ka gjasë që të ketë pak reshje shiu gjatë kësaj periudhe në pesë shtete braziliane.

Mungesa e shiut në një pjesë të madhe të sipërfaqes së Brazilit ka ndërlikime negative për kultivimin e grurit, gjedhet dhe prodhimin e energjisë, sepse ky shtet varet shumë nga prodhimi i rrymës përmes hidrocentraleve. Moti i thatë mund të shkaktojë edhe zjarre në Amazonë, thonë shkencëtarët.

Moti më i thatë se zakonisht tashmë e ka dëmtuar prodhimin e sheqerit dhe kafesë në Brazil, duke ndikuar edhe në rritjen e çmimit në të ardhmen për këto produkte. Brazili është furnizuesi më i madh i sheqerit dhe kafesë në botë, shkruan Reuters.

(Kosova Sot Online)