Lumir Abdixhiku zyrtarizon kandidaturën e Përparim Ramës për kryetar të Prishtinës

  • E.K /
  • 29 May 2021 - 12:36
 Lumir Abdixhiku zyrtarizon kandidaturën e Përparim Ramës për kryetar të Prishtinës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka zyrtarizuar kandidaturën e arkitektit të njohur, Përparim Rama për kryetar të komunës së Prishtinës.

Ai ka thënë se me Ramën do të punojnë për problemet më bazike të kryeqytetit.

” Përparim Rama është arkitekti e urbanisti më i njohur shqipar – i vlerësuar me çmime ndërkombëtare gjithandej nëpër botë. Përvoja e jashtëzakonshme e tij me punë në Londër tash e sa vjet e bën Përparimin një aset nacional të vendit; një përfaqësues të denjë të komuniteti profesional e shoqërisë në përgjithësi – brenda e në diasporë padallim”, ka shkruar Abdixhiku në një postim në “Facebook”.

Më tutje Abdixhiku tha se me Ramën është takuar disa herë për të dikutuar për problemet me të cilat ballafaqohet Prishtina.

” Gjatë muajve të fundit kam takuar Përparimin disa herë. Kemi folur shtruar e qartë për problemet më bazike të Kryeqytetit. Për ngufatjen, ndotjen, ngarkesën e për dhënien e shpirtit të qytetit – të pamjes e përvojës, të hapësirës e komunitetit, të organizimit të vet jetës – të ndërtimit të Prishtinës në qytetin që e duam të gjithë. Kam qenë i mahnitur jo vetëm me dashurinë e tij ndaj Kryeqytetit por edhe me zgjidhjet e tij për problemet tona më bazike. Përparimi ka vizionin që e kërkojmë tash e sa kohë. Jam i bindur se do ta pranoni këtë vizion”, ka thënë më tutje ai.

Postimi i plotë:

Ju njoftoj me kandidatin e LDK-së për Prishtinën.

Përparim Rama është arkitekti e urbanisti më i njohur shqipar – i vlerësuar me çmime ndërkombëtare gjithandej nëpër botë. Përvoja e jashtëzakonshme e tij me punë në Londër tash e sa vjet e bën Përparimin një aset nacional të vendit; një përfaqësues të denjë të komuniteti profesional e shoqërisë në përgjithësi – brenda e në diasporë padallim.

I njohur për angazhimin e tij kryesor në planifikim hapësinor të Lojrave Olimpike në Londër në vitin 2012; për angazhimin e tij në ndërtimin e vizionit të Doha’s, kryeqytetit të Katarit; për projekte madhore në New York, Dublin, Bazel, Pragë e deri në Damask të Sirisë – Rama i Prishtinës mbanë një bagazh të mbresëlënës të shenjave që i mbijetojnë kohës.

Tani ka ardhë koha që ecjen e tij nëpër botë ta ndërpresim; e këtë bagazh të madh të tij ta kthejmë në qytetin e tij e tonin – në Prishtinë. Ky vend bëhet mirë kur më të mirët japin veten. Përparimi është i tillë.

Gjatë muajve të fundit kam takuar Përparimin disa herë. Kemi folur shtruar e qartë për problemet më bazike të Kryeqytetit. Për ngufatjen, ndotjen, ngarkesën e për dhënien e shpirtit të qytetit – të pamjes e përvojës, të hapësirës e komunitetit, të organizimit të vet jetës – të ndërtimit të Prishtinës në qytetin që e duam të gjithë. Kam qenë i mahnitur jo vetëm me dashurinë e tij ndaj Kryeqytetit por edhe me zgjidhjet e tij për problemet tona më bazike. Përparimi ka vizionin që e kërkojmë tash e sa kohë. Jam i bindur se do ta pranoni këtë vizion.

Kemi folur dhe për LDK-në e rrugëtimin që duam të ndërtojmë përpara. Bindjet e tij politike e ideologjike, me gjithë vullnetin e tij të madh për ndryshim, kanë kryqëzuar rrugët tona. Si profesionist i fushës, si emër ndërkombëtar, si aset i Prishtinës, kandiditimi i tij për Kryetar të Kryeqytetit është përputhje natyrale e vizioneve tona.

Pas autorizimeve që kam marrë nga degët tona, javën që vjen do t’i propozojë nominimin e tij Kryesisë sonë. Menjëherë më pas do të ndërtojmë e prezantojme edhe ekipin për qeverijse e për asamble. Nga aty do të ndërtojmë e prezantojmë zgjidhjet më praktike të problemeve  më kronike të qytetarëve tanë – një model krejt ndryshe deri më tani. Secili banorë i secilës lagje të kryeqytetit do të gjejë veten në këtë model. Fjalët boshe e zhurmat politike do të duken siç edhe vërtetë janë – të thata.

Përparim Rama, i lindur në Prishtinë, me prejardhje nga Gollaku, mbanë titullin magjistër shkence në fushën e urbanizmit e arkitekturës. Është edhe ligjerues në univeristete të ndryshme botërore; ndër të tjerash në ‘Nottingham University School of Architecture’ e në ‘University of East London’. Është anëtar i Associacionit të Arkitektëve të Britanisë. Është i martuar me Kristale Rama dhe ka tre fëmijë.

Përparimi i Prishtinës është edhe përparimi jonë që e kërkojmë tash e sa kohë. Qytetit po i japim një Kryetar që i jep shkëlqimin që e meriton; e LDK-së rikthimin e madh.

(Kosova Sot Online)