Joe Biden propozon buxhetin e ShBA-së për vitin e ardhshëm, ja shifra

  • E.K /
  • 29 May 2021 - 13:05
Joe Biden propozon buxhetin e ShBA-së për vitin e ardhshëm, ja shifra

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka propozuar buxhet prej 6 trilionë dollarësh për vitin e ardhshëm. Në dokument parashihen programe për të varfrit dhe shtresën e mesme, ndërsa taksa për korporatat dhe të pasurit.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka trashëguar shpenzime rekorde gjatë pandemisë, ndërsa shënoi fitore të madhe këtë vit me miratimin e pakos së rimëkëmbjes. Biden më parë ka ndërmarrë nisma për investime në inftastrukturë dhe shpenzime sociale.

Deficiti i parashikuar për këtë vit pritet të arrijë në nivel rekord prej 3.7 trilionë dollarësh, ndërsa shifra pritet të bjerë në 1.8 trilion dollarë vitin e ardhshëm. Borxhi publik i Shteteve të Bashkuara së shpejti do të shkojë në 30 trilionë dollarë, pasi mbi 5 trilionë dollarë tashmë janë miratuar për pakon e rimëkëmbjes. Si rezultat i kësaj situate, qeveria duhet të marrë hua rreth 50 për qind të parave që do të shpenzojë këtë vit dhe vitin e ardhshëm.

Bideni po synon që ta shfrytëzojë propozimin e tij për rritjen e taksave për korporata dhe individë me të hyra të larta për t’i financuar programet e reja sociale, si kujdesi i përgjithshëm për fëmijët e vegjël, përkrahja financiare për kujdesin ndaj fëmijëve dhe pushimi i garantuar me pagesë, shkruan Independent.

Shefja e Shtëpisë së Bardhë për buxhet, Shalanda Young, tha se plani i presidentit Biden e bën saktësisht atë që ai ka thënë se do ta bëjë. “Do ta rrijë ekonominë, do të krijojë vende pune dhe me shumë përgjegjësi do të kërkojë nga amerikanët më të pasur dhe korporatat e mëdha që ta paguajnë pjesën e tyre të drejtë”, tha ajo.

(Kosova Sot Online)