“Kam me të vra ty dhe gjithë familjen” – Gjykata merr vendim për prizrenasin që kërcënoi babanë

  • E.K /
  • 01 June 2021 - 14:23
 “Kam me të vra ty dhe gjithë familjen” – Gjykata merr vendim për prizrenasin që kërcënoi babanë

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit ndaj A.P. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kanosur babanë e tij.

I dyshuari është arrestuar të dielën, ndërkaq masa e paraburgimit të tij mund të zgjasë deri më 29 qershor.

Pasditën e 29 majit, i dyshuari në banesën e përbashkët familjare e ka kërcënuar babanë, duke i thënë se do ta vrasë atë dhe tërë familjen.  

Për shkak të frikës, viktima ka liruar banesën dhe ka lajmëruar policinë për kërcënimin nga djali i tij.

Po ashtu, i dyshuari kishte demoluar disa gjëra të shtëpisë.

“ Me datën 29 maj, në orët e pasdites, në Prizren, saktësisht në banesën e tyre të përbashkët familjare, i pandehuri A.P., seriozisht e kanosë të dëmtarin-viktimën e ndjeshme – babanë e tij, me fjalë vepra apo gjeste se do t’i shkaktoj ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit tek i dëmtuari babai i tij, në atë mënyrë që si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme, i pandehuri A.P., i drejtohet me fjalët kanosëse të dëmtuarit “kam me të vra ty dhe gjithë familjen dhe dil prej banesës, se kjo banesë është e imja”, ku më pas i dëmtuari nga frika del nga banesa që të qetësohet situata dhe mbas dy ore pasi kthehet në banesës, vëren se i pandehuri i kishte demoluar disa gjëra të shtëpisë, i pandehuri përsëri në vazhdimësi i drejtohet të dëmtuarit me fjalë “do të vras, lirojë banesën”, ku i dëmtuari nga frika largohet nga banesa dhe lajmëron rastin në polici, me të cilat veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prizrenit.

Gjykata ka treguar arsyet pse është caktuar masa e paraburgimit ndaj të dyshuarit A.P.

“Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale. Gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, të kaluarën e tij kriminale, gjë që vërtetohet edhe nga raporti i Policisë, ashtu që tregon se i njëjti po të lihet në liri mund të përsërisë veprën penale ose të përfundoj veprën me të cilin është kanosur”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)