Benjamin Netanyahu buzë rrëzimit: I refuzohet ankesa, ish-ministri i bashkohet opozitës

  • E.K /
  • 01 June 2021 - 15:33
 Benjamin Netanyahu buzë rrëzimit: I refuzohet ankesa, ish-ministri i bashkohet opozitës

Një ankesë ligjore e çasteve të fundit e kryeministrit Benjamin Netanyahu për ta parandaluar përpjekjen e rivalëve politikë për ta formuar qeverinë e re u refuzua të martën. Kundërshtarët e tij po nguten që të arrijnë një marrëveshje për ta rrëzuar Netanyahun nga pushteti.

Naftali Bennett, ish-ministër i Mbrojtjes i Netanyahut, njoftoi të dielën se do t’i bashkohet aleancës së propozuar me liderin opozitar të qendrës, Yair Lapid, për të shërbyer si kryeministër me rotacion.

Ata kanë afat deri të mërkurën në mesnatë që ta paraqesin marrëveshjen përfundimtare të presidenti Rivlin, i cili ia dha Lapidit mandatin për formimin e qeverisë së re, pasi Netanyahu dështoi në këtë proces pas rezultatit të ngushtë të zgjedhjeve të 23 marsit.

Duke shpresuar se do ta arrijnë afatin, Lapid, Bennet dhe liderë të tjerë të partive janë mbledhur për të hartuar marrëveshje koalicioni, shkruan Reuters.

Në një letër dërguar këshilltarëve ligjorë të presidencës dhe kuvendit, partia Likud e Netanyahut tha se Lapid nuk është i autorizuar për t’ia dorëzuar udhëheqësinë e qeverisë Bennettit.

Megjithatë, zyra e presidentit Reuven Rivlin tha se nuk ka bazë ligjore për pretendimin e Likudit, sepse Lapid do të betohej si kryeministër ndërrues, i dyti që do të shërbente si kryeministër si pjesë e rotacionit.

(Kosova Sot Online)