Ish-ushtarja amerikane ia dhuron UP-së 5 mijë dollarë

  • E.K /
  • 03 June 2021 - 10:18
 Ish-ushtarja amerikane ia dhuron UP-së 5 mijë dollarë

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka pranuar donacion prej 5 000 dollarësh nga ish-ushtarja amerikane, Elaine Berkowitz, konkretisht për Departamentin e Stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë.

Rektori, Naser Sahiti e vlerësoi donacionin dhe siguroi që ai do të shkojë në vend duke u shërbyer studentëve të Stomatologjisë.

“Ky donacion dhurohet në shenjë të shërbimit të saj në Kosovë dhe në emër të falënderimit të profesorit Agim Islami”.

“Ky donacion do të shkojë në vend dhe do të arrijë qëllimin që kushtet për studentët e Stomatologjisë të përmirësohen dhe të reflektohen në tregun e punës pastaj”, u shpreh ai.

Agim Islami, profesor pensionist i Stomatologjisë, tha se ky donacion tregon që Elaine Berkowitz nuk e ka harruar Kosovën dhe i do njerëzit e saj.

“Mirësia që e kemi treguar për të nuk harrohet. Kjo tregon që ajo e do Kosovën dhe njerëzit e saj. Ky donacion do të thotë shumë. Raporti Kosovë-Amerikë, Kosovë popull hebraik të cilit ajo i takon dhe kjo praktikë e bashkëpunimit të vazhdojë edhe më tej. Kjo do të mbetët në histori”.

Teuta Bicaj, përfaqësuese Elaine Berkowitz, njoftoi se është autorizuar nga ajo për të nënshkruar këtë marrëveshje, duke treguar se në letrën e saj ajo ka thënë se Kosova është si shtëpi e dytë për të.

“Ne njihemi qysh moti, qysh atëherë ajo ka ardh në katedrën tonë si në shtëpinë e saj. Ajo shumë shpesh komunikon me mua. Meqenëse ajo nuk ka mund të jetë e pranishme për shkak të pandemisë më ka autorizuar me nënshkruar këtë marrëveshje. Do ta prezantojë edhe një letër të saj para juve.

“Jam në dashuri në Kosovën. Kosova është shtëpia ime e dytë”, ka shkruar mes tjerash në letër Elaine Berkowitz.

Ndërkaq Suzana Manxuka-Kervilli, dekane e Fakultetit të Mjekësisë tha se me këto të holla do të blihen zbardhues okularë në shërbim të studentëve të Stomatologjisë.

“Falënderoj për këtë donacion për studentë. Ky donacion dhe ky kontribut ka një vlerë të rëndësishme simbolike dhe financiare. Do të blihen disa zmadhues okularë”, ka thënë ajo.

(Kosova Sot Online)