Gruaja e politikanit serb tregon se si e sulmuan tifozët serbë burrin e saj

  • E.K /
  • 03 June 2021 - 12:12
 Gruaja e politikanit serb tregon se si e sulmuan tifozët serbë burrin e saj

Jelena Jovanoviq, gruaja e kryetarit të Partisë Liberale Demokratike në Serbi, Çedomir Jovanoviq – i cili njihet për qëndrime më të moderuara karshi Kosovës – tha se burri i saj u sulmua nga disa tifozë në Beograd.

Ajo deklaroi se për vite me radhë familja e tyre vuante nga ngacmimet e tifozëve, më së shpeshti para ndërtesës në të cilën ata jetojnë, dhe se policia është informuar siç duhet për këtë.

“Kur burri im erdhi në shtëpi rreth orës 21:00 të mbrëmjes, doli nga vetura, ai u sulmua verbalisht nga disa të rinj që e ndoqën, e fyen dhe e kërcënuan. Ai u sulmua fizikisht dhe ai reagoi”, i tha Jelena Jovanoviq Tanjugut serb.

Shpresoj, shtoi ajo, që policia të reagojë dhe ta parandalojë abuzimin e përditshëm dhe u kërkoi mediave të raportojnë objektivisht për ngjarjet në të cilat përmendet burri i saj.

“Ai nuk është ngacmues, ai e mbrojti veten nga disa ngacmues. Si dhe pse është e mundur që ndonjë lajm për të të jetë negativ? Natën e kaluar, Çedomiri mbrojti fëmijët e tij, familjen e tij, në pragun e shtëpisë së tij”, tha Jelena Jovanoviq.

“Siguria e familjes sonë është e rrezikuar, fëmijët që ishin dëshmitarë të ngjarjes që ndodhi nën prezencën e tyre mbrëmë. Ata shpesh dëgjojnë këngë fyese dhe kërcënime nga tifozët”, theksoi ajo.

Mediat serbe njoftuan se Çedomir Jovanoviq shkaktoi incidentin në një lokal në Beograd të mërkurën në mbrëmje, pas së cilës ai u mor me veturë të policisë.

Këtë mëngjes, Jovanoviq i tha TV Prva-s se ai hodhi një karrige në dritaren e një lokali jo shumë larg shtëpisë së tij , pasi tha se u sulmua nga tifozët para atij lokali.

(Kosova Sot Online)