79-vjeçari tregon se si ia ofruan 1 milion dollarë për të vrarë Pablo Escobar

  • E.K /
  • 03 June 2021 - 13:25
 79-vjeçari tregon se si ia ofruan 1 milion dollarë për të vrarë Pablo Escobar

Një ish-pronar lokali, i cili më pas iu bashkua forcave të SAS, ka treguar së fundmi se si iu bashkua Task Forcës që kishte si synim për të vrarë mbretin kolumbian të kokainës, Pablo Escobar. Peter McAleese kishte për detyrë të drejtonte ekipin për të eliminuar baronin e drogës.

Gjatë një interviste të prezantuar në podcastin “James English”, McAleese zbuloi se ai ishte pjesë e një ekipi që iu ofrua 1 milion dollarë për “kokën” e shefit të kartelit Medellin.

“Ne fluturuam në Kolumbi dhe u takuam me një djalë të quajtur Jorge Salcedo dhe ai na informoi për atë që po ndodhte. Takuam më pas 2 biznesmenë që në fakt ishin pjesë e kartelit Cali”, nis rrëfimin 79-vjeçari.

McAleese tregon se si Salcedo, i cili ishte pjesë e bandës rivale të  kartelit Cali, po koordinonte sulmin dhe ai donte të rekrutonte një ekip për ta kryer atë. Peteri ishte personi i parë që kishte pyetur.

Me një pasuri që vlerësohej më shumë se 40 miliardë paund, Escobar konsiderohej si krimineli më i pasur në histori. Në kulmin e tij, ai kontrabandonte 15 tonë kokainë në ditë, ndërsa kartelet rivale mbaheshin larg me plumba dhe bomba.

“Kishte një betejë të vazhdueshme midis kartelit Cali dhe kartelit Medellin dhe ata thjesht donin që Pablo të largohej nga rruga sepse ai  donte shfaqjen e plotë”, shprehet ish-ushtari i SAS.

Pas stërvitjes në një fushë të futbollit, ekipi u zhvendos në një kamp trajnimi drejtpërdrejt në xhungël, para se të nisej për të vrarë kriminelin famëkeq.

Një anëtar, i cili u largua nga grupi, i tradhtoi ata duke dhënë një intervistë për shtypin, megjithëse premtoi se nuk do ta bënte. Ai informoi mediat për sulmin që po organizohej, por nuk ishte në dijeni se kush ishte shënjestra, vetëm Peter dhe një person tjetër e dinin atë informacion.

Një fatkeqësi tjetër ndodhi ndërsa ekipi udhëtonte drejt misionit përfundimtar.

Me sa duket, anëtarët e ushtrisë dhe forcës policore ishin në listën e atyre që paguheshin nga Escobar dhe kjo nënkuptonte se helikopteri duhej të fluturonte ulët për të shmangur radarët. Fatkeqësisht, kjo rezultoi në rrëzimin e helikopterit, duke vrarë pilotin. McAleese i mbijetoi përplasjes së avionit, por theu disa brinjë. “Dhimbja ishte torturuese. Fillova të mendoj se çfarë jam duke bërë këtu, si e futa veten në këtë bela?”, tregon Peter.

Të nesërmen, skocezi dëgjoi zëra që i afroheshin dhe nuk ishte i sigurt nëse ishin të mirë apo të këqij pasi gjithçka që dëgjoi ishte një grup burrash që flisnin spanjisht. Për fat të mirë doli se ata ishin miqtë e tij, të cilët pas një udhëtimi arritën ta çonin në një vend të sigurt.

Pablo Escobar u vra përfundimisht në një operacion nga Policia Kombëtare Kolumbiane në 1993, vetëm një ditë pas ditëlindjes së tij të 44-të.

(Kosova Sot Online)