Bullgaria: Kosova ka kërkuar nga ne doza të vaksinës për Covid-19

  • E.K /
  • 03 June 2021 - 15:09
 Bullgaria: Kosova ka kërkuar nga ne doza të vaksinës për Covid-19

Ministri bullgar i Shëndetësisë, Stoicho Katsarov, ka thënë se vendi i tij planifikon të ofrojë rreth 150.000 doza të vaksinës për Covid-19 për fqinjtë ballkanikë, duke shtuar se disa shtete kanë paraqitur kërkesë për një gjë të tillë përfshirë Kosovën.

Bullgaria ka shkallën më të ulët të infeksioneve në Bashkimin Evropian, por Katsarov tha se shteti i Ballkanit Lindor është pajtuar që të pranojë rreth 13 milionë doza sipas skemës së BE-së për furnizim deri në fund të vitit dhe ka mundësi që t’i ndihmojë shtetet e tjera.

“Ideja është që të shpërndahen deri në 150.000 doza për vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor”, tha ministri Katsarov para gazetarëve, duke shtuar se Sofia ka pranuar kërkesa nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia Veriore dhe Bosnja, shkruan The Guardian.

“Nevojat tona janë të mbuluara tërësisht, prandaj nuk ka edhe ashtu rrezik që Bullgaria të mbetet pa vaksina”, shtoi ministri bullgar.

Ai tha se vendi i tij po pret përgjigje të premten nga Komisioni Evropian për atë se si të veprohet më saktësisht me dozat dhe për të kuptuar nëse Bullgaria mund t’i japë vaksinat si donacion apo mund t’i shesë ato.

Sipas tij, Bullgaria synon që më së shumti doza të japë nga ato të kompanisë AstraZeneca edhe për shkak të interesimit të vogël për t’i marrë ato brenda vendit.

Javën e kaluar, presidenti Rumen Radev tha se Sofia planifikon t’i japë Maqedonisë Veriore një sasi të konsiderueshme të vaksinave. Ky veprim mund të jetë përpjekje për t’i përmirësuar raportet mes dy vendeve fqinje shkaku i vetos së Bullgarisë për fillimin e bisedimeve mes Shkupit dhe Brukselit për anëtarësimin e Maqedonisë Veriore në Bashkimin Evropian.

(Kosova Sot Online)