Çmimi i ushqimit në botë u rrit më së shpejti në dhjetë vjet – 39.7 për qind

  • E.K /
  • 04 June 2021 - 10:35
 Çmimi i ushqimit në botë u rrit më së shpejti në dhjetë vjet – 39.7 për qind

Kombet e Bashkuara kanë thënë se çmimet e produkteve ushqimore në botë kanë shënuar rritjen më të shpejtë mujore në dhjetë vitet e fundit.

OKB-ja përdor një indeks të gjerë të kostos globale të ushqimit, i cili ka shënuar rritje për 12 muaj rresht. Furnizuesit janë prekur nga pengesat në prodhim, fuqi punëtore e transport gjatë pandemisë, shkruan BBC.

Ndërkohë po shtohet shqetësimet për inflacion më të gjerë dhe për atë se si faturat e dyqaneve ushqimore do të ndikojnë në rimëkëmbjen e ekonomisë botërore.

Indeksi i çmimit të ushqimit i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë në Kombet e Bashkuara i përcjell çmimet përreth botës për disa produkte themelore si drithërat, farat, qumështi dhe nënproduktet e tij, mishi dhe sheqeri.

Në bazë vjetore, çmimet e ushqimit në maj ishin për 39.7 për qind më të larta. Kjo ishte rritja më e madhe që nga tetori i vitit 2010, sipas indeksit të Kombeve të Bashkuara.

Rritje shënuan të pesë komponentët e indeksit, të nxitur nga rritja e kostos së vajrave bimore, drithërave dhe sheqerit. Kjo e çoi indeksin në nivelin më të lartë të përgjithshëm që nga shtatori i vitit 2011.

Kostoja e rritur është rezultat i gjallërimit të kërkesës në disa shtete dhe ngecjes së shkaktuar nga niveli i ulët i prodhimit.

Pengesat në tregje dhe furnizim për shkak të kufizimeve të lëvizjes kanë krijuar mungesë të ushqimit dhe çmime më të larta.

(Kosova Sot Online)