Rekord i vendparkimit më të shtrenjtë në botë, ja ku ndodhet dhe sa u shit

  • E.K /
  • 04 qershor 2021 - 15:29
 Rekord i vendparkimit më të shtrenjtë në botë, ja ku ndodhet dhe sa u shit

Çmimet për parkim të veturave në qendër të Prishtinës mund të ju duken të larta, por ato nuk janë asgjë në krahasim me disa shtete tjera. Raportohet se në Hong Kong një vendparkim është shitur për 1.3 milion dollarë amerikanë.

Vendparkimi ishte një prej vendeve të shitura në një kompleks ultra-luksoz në zonën e banimit “The Peak”, shkruan BBC.

Hong Kongu është aq i ngarkuar në hapësirë, saqë edhe një vend për parkimin e veturës mund të cilësohet si diçka luksoze.

Qendra globale financiare shpesh ndodhet në krye të listave të vendeve më të shtrenjta në botë për të jetuar.

Rekordi i mëparshëm për vendparkimin më të shtrenjtë ishte shënuar gjithashtu në Hong Kong në vitin 2019, kur një hapësirë e tillë prej disa metrash katror ishte shitur për 980.000 dollarë.

Muajve të fundit, tregu i shtëpive dhe banesave luksoze në Hong Kong ka shënuar transaksione rekorde, pasi blerësve iu kthye vetëbesimi me lehtësimin e masave kundër pandemisë.

Muajin e kaluar, një shtëpi në zonën e banimit “The Peak” u lëshua me qira për një çmim rekord prej 210.000 dollarësh në muaj.

Shënim: Fotografia e këtij lajmi është përdorur vetëm për ilustrim.

(Kosova Sot Online)