Hetimi i çuditshëm i FBI-së: Kush e ka klikuar këtë lajm, gazeta refuzon të tregojë

  • E.K /
  • 05 June 2021 - 11:38
 Hetimi i çuditshëm i FBI-së: Kush e ka klikuar këtë lajm, gazeta refuzon të tregojë

Byroja Federale e Hetimeve e Shteteve të Bashkuara, FBI, ka kërkuar informacione për lexuesit e një artikulli lajmesh në internet si pjesë e hetimeve.

Agjencia kërkoi nga gazeta “USA Today” që t’ia dorëzojë të dhënat për atë se kush e ka lexuar artikullin rreth vrasjes së dy agjentëve të FBI-së, shkruan BBC.

Drejtori i gazetës i ka rezistuar kërkesës dhe ka kërkuar nga gjykata që FBI-së t’i ndalohet një veprim i tillë, duke thënë se kërkesa e Byrosë Federale të Hetimeve është shkelje e qartë e legjislacionit që e mbron lirinë e shtypit.

FBI-ja lëshoi një urdhër për dorëzimin e dëshmive ndaj kompanisë që e ka në pronësi gazetën në fjalë, “Gannett”, duke kërkuar të dhëna rreth klikimeve të lajmit të publikuar në shkurt rreth vrasjes me armë zjarri të dy agjentëve në Florida.

Me këtë urdhër kërkohen adresat IP dhe numrat e telefonit të lexuesve të materialit mediatik. Adresat IP mund të përdoren për ta gjetur vendndodhjen e kompjuterit nga i cili është lexuar lajmi dhe pronarin e tij.

“Gannett” po kërkon nga gjykata që të anulohet ky urdhër, duke thënë se ai i shkel nenet e para të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, të cilat e mbrojnë lirinë e shtypit nga ndërhyrja qeveritare.

(Kosova Sot Online)