Operacioni ndërkombëtar edhe në Gjermani, mbi 70 të arrestuar

  • E.K /
  • 08 June 2021 - 11:45
 Operacioni ndërkombëtar edhe në Gjermani, mbi 70 të arrestuar

Policia gjermane ka arrestuar mbi 70 persona dhe ka bastisur mbi 150 lokacione në pjesë të ndryshme të vendit si pjesë e një operacioni të gjerë ndërkombëtar për ta goditur krimin e organizuar në 15 shtete, njoftuan autoritetet.

Bastisjet që u kryen të hënën ishin të përqendruara në rajonin perëndimor, Hesse, dhe u zhvilluan në bashkëpunim me Europol-in. Veprimi i forcave të sigurisë erdhi pas nisjes së hetimeve nga autoritetet amerikane që në vitin 2018, njoftoi Prokuroria Publike e Frankfurtit.

Policia sekuestroi qindra kilogramë drogë, mbi 20 armë, më shumë se 30 vetura luksoze, të holla kesh në vlerën e 250.000 eurove si dhe pajisje të teknologjisë informative, shkruan Reuters.

Prokurorët thanë se personat e dyshuar akuzohen për përdorim të telefonave me një aplikacion për mesazhe të koduara për të bërë marrëveshje për armë dhe drogë.

Në bastisje morën pjesë rreth 1.500 pjesëtarë të forcave për sundimin e ligjit dhe ishin pjesë e aksionit evropian kundër një rrjeti global të kriminelëve, të cilët ishin mashtruar me një aplikacion, në mesazhet e të cilit kishin qasje oficerët. Ata patën mundësi që t’i dëgjojnë bisedat mes të dyshuarve.

Siç raportoi media, për realizimin e aksionit të gjerë më herët njoftoi edhe Australia.

(Kosova Sot Online)