Mori 3.5 milionë franga nga shteti në kohë pandemie, nis gjykimi ndaj 47-vjeçarit

  • E.K /
  • 08 June 2021 - 13:01
 Mori 3.5 milionë franga nga shteti në kohë pandemie, nis gjykimi ndaj 47-vjeçarit

Mjeku 47-vjeçar nga Austria kishte besuar se punonjësit e bankës, për shkak të mbingarkesës, nuk do të shqyrtonin aplikimet në detaje.

Ish-shefi i zinxhirit të ordinancave mjekësore  “Mein Arzt” (“Mjeku im”) do të përgjigjet para Gjykatës së Qarkut në Bülach (Kantoni Cyrihut) javën e ardhshme, raporton Transmetuesi Publik i Zvicrës, SRF.

Ai, duke synuar të rehabilitonte zinxhirin e tij të ordinancave që po shkatërrohej, ia kishte mësyrë kredisë që jepte shteti për bizneset e dëmtuara nga koronavirusi. Kështu, ai ka aplikuar për kredi të koronës për 22 ordinancat e veta.

Por, shifrat që ai ia ka kumtuar bankës Credit Suisse ishin fiktive.

Mjeku 47-vjeçar nga Austria kishte besuar se punonjësit e bankës, për shkak të mbingarkesës së tyre me punë, nuk do të shqyrtonin aplikimet në detaje.

Sikur të jepte vetëm informacionin e vërtetë, ai do të kishte marrë nga shteti, në emër të mbështetjes së biznesit të dëmtuar,  një kredi prej “vetëm” 690,000 frangash, transmeton albinfo.ch. Por kështu ai ka marrë plot 3.5 milionë franga – edhe pse çekuilibrimi i zinxhirit të ordinancave të tij fillimisht nuk kishte asnjë lidhje me pandeminë.

Ky është mashtrimi më i madh në lidhje me koronavirusin  në Zvicër deri më tani. I akuzuari po mbahet në burg që nga tetori i vitit 2020.

(Kosova Sot Online)