Komisioni Evropian padit Poloninë dhe Çekinë, ja arsyeja

  • G.G /
  • 09 June 2021 - 13:10
Komisioni Evropian padit Poloninë dhe Çekinë, ja arsyeja

Komisioni Evropian të mërkurën i paditi Poloninë dhe Çekinë për shkak të ligjeve të këtyre shteteve për ndalimin e qytetarëve të vendeve tjera të BE-së që të anëtarësohen në parti politike dhe të marrin pjesë në zgjedhje lokale apo evropiane.

“Si rezultat i këtij kufizimi, qytetarët nga shtetet tjera anëtare të BE-së me vendbanim në Çeki apo Poloni nuk mund ta ushtrojnë plotësisht të drejtën e tyre për të qenë kandidatë në zgjedhje lokale dhe në zgjedhje për Parlamentin Evropian në kushte të njëjta si shtetasit e këtyre shteteve”, tha Komisioni Evropian.

“Komisioni pohon se kufizimet që i pengojnë qytetarët jo-çekë dhe jo-polakë në Çeki dhe Poloni për t’u anëtarësuar në një parti politike janë në kundërshtim me ligjin e BE-së, sepse ato e shkelin parimin e mosdiskriminimit në bazë të kombësisë”, tha organi ekzekutiv i BE-së.

Komisioni Evropian gjithashtu njoftoi se do ta padisë Poloninë në gjykatën më të lartë të BE-së edhe për dështimin rreth zbatimit të plotë të rregullave të Bashkimit Evropian për prokurim publik.

Sipas Komisionit Evropian, ligjet polake përjashtojnë dy kategori të kontratave nga zbatimi i rregullave të prokurimit publik: kontratat për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve të caktuara publike dhe kontratat për ofrimin e shërbimeve bankare.

(Kosova Sot Online)