IPK rekomandon suspendimin e policit që i doli në mbrojtje ministri Sveçla pas arrestimit të Fazliut të veteranëve

  • E.K /
  • 10 qershor 2021 - 11:46
 IPK rekomandon suspendimin e policit që i doli në mbrojtje ministri Sveçla pas arrestimit të Fazliut të veteranëve

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u kishte dalë në mbrojtje policëve të përfshirë në arrestimin e ish-kreut të OLV UÇK-së, Faik Fazliu. Në vlugun e gjithë debatit të nxitur nga ngjarja meqë Fazliu është edhe invalid i luftës, Sveçla kishte deklaruar se “ka mbaruar koha kur zyrtarët policorë fyhen e sulmohen gjatë ushtrimit të detyrës nga të ashtuquajturit “të fortët”. Por, Inspektorati Policor ka rekomanduar sot suspendimin e policit i cili u pa në video duke e arrestuar Fazliun, me ç’rast ky i fundit pas shtyrjes nga polici bie përtoke.

Sipas Inspektoratit Policor të Kosovës, zyrtari policor dyshohet për veprën penale “lëndim i lehtë trupor” dhe ndaj tij “hetuesit e IPK-së do të ndërmarrin veprime hetimore në koordinim me prokurorin e shtetit drejt sqarimit të rrethanave dhe pretendimeve për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga policia”, ka njoftuar sot IPK.

Sipas Xhelal Sveçlës, arrestimi i Faik Fazliut ishte “përgjigje e shpejtë dhe konform ligjit për të gjithë personat që tentojnë “t’i kryejnë punët privatisht me policët tanë”.

“Sundimi i ligjit në shtetin e së drejtës, nënkupton edhe ushtrimin e detyrës nga zyrtarët policorë pa pengesa. Ka mbaruar koha kur zyrtarët policorë fyhen e sulmohen gjatë ushtrimit të detyrës nga të ashtuquajturit “të fortët”. Përgjigje e shpejtë dhe konform ligjit për të gjithë personat që tentojnë “t’i kryejnë punët privatisht me policët tanë”. Stop sjelljeve banditeske. Askush mbi ligjin!”, ka shkruar ministri Sveçla në Facebook.

Në këtë postim, Sveçla e akuzonte Fazliun për “sjelle banditeske”, por ish-kreu i OVL-UÇK-së, Faik Fazliu, ka mohuar se është sjellur keq me policin, madje thotë se as nuk e ka shikuar atë. Sipas tij polici ishte sjellë në mënyrë tendencioze ndaj tij.

Gjithashtu, Fazliu ka deklaruar se është kërcënuar tri herë nga eprori i Policisë në Prizren me fjalët “çka hamomi po lyp në Prizren”, teksa ndodhej në stacionin policor.

Por, deklaratës së Xhelal Sveçlës, iu kundërpërgjigj ashpër Faik Fazliu, ai e quajti ministrin rrugaç dhe legen.

“Xhelal rrugaçi une nuk jam legen si ti me i gjujte e sulmu policet dhe kurre ne jeten time nuk jam shite i forte ne raport me institucionet sepse une kam bere dicka për këtë vend! Andaj ti rrugaç qe je veshur me petkun e ministrit ndali sojin tend dhe mos i mvesh me petkun e institucioneve dhe shtetit për ti fyer e sulmuar njerezit qe s’bejne asnje faj të vetem!! Po pajtohem askush mbi ligjin,por edhe askush e as ti bandit e rrugaç mos u mundo me shfrytezu gjoja ligjin për  te luajtur të “FORTIN” ti je vetem nje legen  dhe rrugaç (i veshur me pushtet)asgje me shume! P.S shife veten tende rrugaç ordiner ne foto je TI apo jo!”, ka shkruar Fazliu në rrjetin social “Facebook”.

(Kosova Sot Online)