Rusia e akuzon BE-në për njëanshmëri ndaj Kosovës në dialogun me Serbinë

  • E.K /
  • 11 June 2021 - 12:15
Rusia e akuzon BE-në për njëanshmëri ndaj Kosovës në dialogun me Serbinë

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dje është mbajtur një takim në lidhje me bashkëpunimin mes OKB-së dhe organizatave rajonale.

Në këtë takim pati mospajtime të mëdha mes zëvendëspërfaqësuesit të parë të përhershëm të Rusisë, Dmitry Polyanskiy dhe BE-së e SHBA-së.

Diplomati rus, veç të tjerash, kritikoi BE-në për qasjen e saj ndaj dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se “po luan me Prishtinë” në vend se të sigurohet që e njëjta “t’i përmbushë” marrëveshjet e arritura në dialog.

“Ne besojmë se BE-ja mund të bëjë më shumë si ndërmjetëse në dialogun Beograd - Prishtinë. Edhe më shumë duke pasur parasysh faktin se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së i ka dhënë mandat special BE-së për këtë qëllim. Deri më tani mund të themi se nuk kemi parë ndonjë rezultat të dukshëm në këtë raport. Do t’u rekomandonim kolegëve tanë evropianë që në vend se të luajnë me Prishtinën, të sigurohen që Prishtina t’i përmbushë parametrat e rënë dakord tashmë, në veçanti atë në lidhje me krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Edhe një herë, i bëjmë thirrje BE-së të mos devijojë nga parimi i paanësisë së ndërmjetësimit”, ka thënë Polyanskiy.

E njëjta dëshirë, tha ai, shkon edhe për politikën e BE-së në tërë Ballkanin.

“U bëjmë thirrje kolegëve tanë të jenë më të kujdesshëm në qasjen e tyre ndaj vendimeve universale të arritura brenda kornizës së OKB-së. Nëse injorohen ose interpretohen në mënyrë arbitrare, rrezikojnë të minojnë legjitimitetin e një game të tërë të strukturave rajonale”, theksoi ndër të tjera diplomati rus.

Polyansky tha mes të tjerash se “fatkeqësisht, marrëdhëniet BE - Rusi aktualisht janë në zbaticën më të ulët në histori”.

(Kosova Sot Online)