Ushtarët izraelitë vrasin 15-vjeçarin palestinez, po protestonte kundër ndërtimeve ilegale

  • E.K /
  • 12 June 2021 - 11:01
 Ushtarët izraelitë vrasin 15-vjeçarin palestinez, po protestonte kundër ndërtimeve ilegale

Ushtarët izraelitë kanë qëlluar për vdekje një adoleshent palestinez në Bregun e pushtuar Perëndimor, tha të premten Ministria e Shëndetësisë e Palestinës.

Mohammed Hamayel, 15 vjeç, vdiq gjatë përleshjeve me forcat izraelite, kur palestinezët po protestonin kundër ndërtimit të një vendbanimi ilegal hebre afër qytetit Nablus, shkruan BBC.

Ushtria izraelite tha se kishte rebelim dhe se jeta e ushtarëve ishte në rrezik. “Protestuesit dogjën goma, hodhën gurë dhe lëshuan fishekzjarrë drejt trupave që ishin të pranishme në skenë, duke ua rrezikuar jetën. Trupat u përgjigjën me mënyra për shpërndarjen e rebelimit dhe qëlluan në drejtim të të rebelëve”, tha një zëdhënës i ushtrisë izraelite.

Incidenti ndodhi vetëm pak javë pas luftimeve 11-ditore mes Izraelit dhe grupeve palestineze në Gaza, gjatë të cilave u vranë së paku 256 njerëz në Gaza e 13 në Izrael.

I riu palestinez u varros të premten, vetëm disa orë pas vdekjes. Ministria e Shëndetësisë tha se në protestë mbetën edhe gjashtë të plagosur.

Në vendin ku u vra Mohammed Hamayel, në Beita, afër Nablusit, mbahen protesta çdo javë për ta shfaqur mospajtimin me ndërimet ilegale hebreje në Evyatar.

Të dielën e kaluar, ushtria izraelite lëshoi një urdhër për të gjithë ata që jetojnë në Evyatar që të largohen deri më 14 qeshror dhe e ndaloi ndërtimin e mëtejmë në atë zonë.

(Kosova Sot Online)