Ndërron jetë kryetari i familjes më të madhe në botë

  • E.K /
  • 14 qershor 2021 - 10:10
Ndërron jetë kryetari i familjes më të madhe në botë

Një burrë 76-vjeçar që besohet të jetë kryetari i familjes më të madhe në botë ka vdekur, në shtetin Mizoram të Indisë.

Ziona Chana, kreu i një sekti fetar që praktikonte poligaminë, vdiq të dielën, duke lënë pas 38 gra, 89 fëmijë dhe 36 nipër e mbesa.

Lajmi u konfirmua nga kryeministri i Mizoram, Zoramthanga, i cili ngushëlloi familjarët, nëpërmjet një postimi në Twitter.

Chana thuhet se vuante nga diabeti dhe hipertensioni.

Mjekët i thanë agjencisë së lajmeve PTI se gjendja e Chana u përkeqësua në shtëpi në fshatin e tij, Baktaëng Tlangnuam. Ai u dërgua me urgjencë në spital të dielën në mbrëmje, por mbërriti pa shenja jete, rapporton BBC.

Megjithatë, është e vështirë të thuash nëse Chana ishte me të vërtetë kryefamiljari i familjes më të madhe në botë, pasi ka të tjerë që pretendojnë titullin.

Është gjithashtu e vështirë të vlerësosh madhësinë e saktë të familjes së Chana. Të paktën një raport pretendon se ai kishte 39 gra, 94 fëmijë, 33 nipër e mbesa dhe një stërnip, që shton deri në 181 persona.

Ndërsa raporte të ndryshme lokale të lajmeve e kanë referuar atë si mbajtës të “rekordit botëror” për një familje kaq të madhe, por është e paqartë se cili rekord global është.

Pavarësisht nëse ka thyer rekord botëror apo jo, Chana dhe familja e tij janë një ‘atraksion për turistët’, të cilët vijnë në fshatin e tyre në veri-lindje të Indisë.

(Kosova Sot Online)