Hykmete Bajrami thotë se përmirësimi i situatës me pandeminë dhe rimëkëmbja ekonomike janë meritë e ish-qeverisë Hoti

  • E.K /
  • 14 June 2021 - 11:33
Hykmete Bajrami thotë se përmirësimi i situatës me pandeminë dhe rimëkëmbja ekonomike janë meritë e ish-qeverisë Hoti

Deputetja nga radhët e LDK’së, Hykmete Bajrami, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë po ndodh shumë më shpejtë se që është parashikuar.

Për këtë ajo meritat ia atribuon ish-qeverisë Hoti.

Bajrami është shprehur se as rënia e numrit të rasteve të infektuara me COVID-19 e as rimëkëmbja ekonomike nuk është meritë e Qeverisë Kurti.

 “Me rënien e numrave të infektuarve është e pakuptueshme që të krenoheni aq shumë se nuk ka asnjë vendim e asnjë masë që ju të merrni merita. Nëse flasim për shifrat e majit, nuk ka masë ekonomike dhe  vendim që efektet e saj do t’i krijonte menjëherë pas 1 muaji. Qeveria Kurti ka marrë mandatin më 22 mars dhe si mundeni të krenoheni me programin ekonomik. Ne bëmë çdo gjë që të mos ketë mbyllje totale. Rimëkëmbja po ndodh shumë më shpejt se që e kemi parashikuar, pikërisht për shkak të masave që kemi marrë”, ka theksuar ajo.

Tutje Bajrami ka thënë se ish-qeveria Hoti ka ndarë drejtpërdrejt mbi 285 milionë euro për qytetarët, bizneset e institucionet, por që Qeveria Kurti nuk ka marrë masa në këtë drejtim.

“Menjëherë pas marrjes së mandatit, ne kemi vazhduar me implementimin e masave. Në qeverinë e mëhershme janë nënshkruar disa marrëveshje. Vetëm gjatë vitit 2020 nga buxheti i Kosovës drejtpërdrejtë janë dhënë 285.5 milionë euro. 33.9 milionë euro në paga dhe shtesa, rreth 23.7 milionë në mallra dhe shërbime, 200 mijë euro në shpenzime komunale. Edhe ne do të kishim pasur dëshirë të jepnim më shumë por këto kanë qenë kapacitetet”, ka shtuar ajo.

(Kosova Sot Online)