Albin Kurti flet pas takimit me Vuçiqin: Ne ishim konstruktivë

  • G.G /
  • 15 June 2021 - 13:03
Albin Kurti flet pas takimit me Vuçiqin: Ne ishim konstruktivë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se takimi i sotëm me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq ka qenë konstruktiv nga ana e delegacionit kosovar. Por tha se pala serbe kishte ardhur në takim me tema të vjetra.

Kurti tha se ata kishin disa propozime, ndërsa tregoi se tri prej tyre u refuzuan, ndërsa për njërin nuk pati përgjigje.

“Sot u zhvillua takimi i parë në Bruksel me delegacionin nga Serbia…. Takimi ishte konstruktiv nga ana jonë. Ne do të marrim pjesë në këtë proces që është i vështirë. Pala serbe foli për propozime të vjetra, ne sollëm 4 propozime të reja. E para, avancimi i CEFTA-s. Propozimi i dytë ishte Kosova dhe Serbia ta nënshkruajnë një deklaratë të paqes ku ne zotohemi se nuk do ta sulmojmë njëra-tjetrën”, tha Kurti.

“Propozimi tjetër ishte për çështjen e të pagjeturve”, theksoi Kurti, ndërsa tha se kanë kërkuar edhe përjashtimin e një anëtari të delegacionit serb, i cili sipas tij ka marrë pjesë në krime ndaj shqiptarëve.

“Tri propozime u refuzuan. Në propozimin e parë nuk pati përgjigje”, tha Kurti.

Ai tha se takimi i radhës do të jetë para pushimit të verës.

“Nëse s’gaboj, i bie më 25 korrik”, tha Kurti.

Paraprakisht, për takimin foli edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili pranoi se kishte përplasje.

(Kosova Sot Online)