Kina dërgon numër rekord prej 28 aeroplanësh luftarakë në qiellin e Tajvanit

  • G.G /
  • 15 June 2021 - 13:32
Kina dërgon numër rekord prej 28 aeroplanësh luftarakë në qiellin e Tajvanit

Njëzet e tetë aeroplanë luftarakë kinezë, përfshirë bombardues që mund të bartin bomba bërthamore, hynë të martën në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit, tha qeveria e ishullit. Ky ishte numri më i madh i aeroplanëve kinez që e kanë shkelur hapësirën ajrore të Tajvanit.

Ndonëse nuk pati koment të menjëhershëm nga Pekini, kjo gjë ndodhi pasi Grupi G7 doli me një deklaratë të përbashkët të dielën, me të cilën e kritikuan Kinën ashpër për një varg çështjesh dhe e theksuan rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ngushticën e Tajvanit, shkruan Reuters.

Tajvani, për të cilin Kina thotë se është pjesë e territorit të saj, është ankuar muajve të fundit për misionet e përsëritura të forcave ajrore kineze afër territorit të tij.

Në fluturimin e fundit mbi Tajvan u përfshinë 14 aeroplanë të tipit J-16, gjashtë aeroplanë J-11 dhe gjashtë bombardues H-6 që mund të bartin armë bërthamore, një aeroplan kundër nëndetëseve, pajisje elektronike lufte dhe një aeroplan për paralajmërim të hershëm, tha Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit.

Ministria e Mbrojtjes e Kinës nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesës për ta komentuar këtë çështje. Në të kaluarën. Kina ka thënë se këto misione janë të nevojshme për ta mbrojtur sovranitetin e vendit.

(Kosova Sot Online)