Arabia Saudite ekzekuton të riun që në kohën e kryerjes së krimit ishte i mitur

  • E.K /
  • 16 June 2021 - 09:22
 Arabia Saudite ekzekuton të riun që në kohën e kryerjes së krimit ishte i mitur

Arabia Saudite ka ekzekutuar një të ri për shkelje për të cilat grupet për të drejtat e njeriut thonë se i ka kryer kur ishte vetëm 17 vjeç, pavarësisht garancisë që kishte dhënë ky shtet se e ka hequr dënimin me vdekje për personat e mitur.

Mustafa Hashem al-Darwish ishte arrestuar në vitin 2015 për shkelje në lidhje me protesta. Autoritetet saudite thonë se ai është ngarkuar me akuzën për formimin e një celule terroriste dhe përpjekje për të kryer revoltë të armatosur.

Megjithatë, grupet për të drejtat e njeriut kishin bërë thirrje për shmangien e ekzekutimit të këtij personi, duke thënë se procesi gjyqësor ka qenë i padrejtë, shkruan BBC.

Në mesin e dëshmive që autoritetet paraqitën kundër të akuzuarit ishin një fotografi që cilësohej fyese për forcat e sigurisë dhe pjesëmarrja e tij në mbi dhjetë tubime kryengritëse më 2011 dhe 2012.

Ministria e Brendshme e Arabisë Saudite gjithashtu tha se al-Darwish është përpjekur të vrasë pjesëtarë të forcave të sigurisë, raportuan mediet shtetërore. Megjithatë, në dokumentet e gjykatës nuk saktësohen datat e ndonjërës prej shkeljeve.

Organizata “Reprieve”, e cila e promovon largimin e dënimit me vdekje, tha se familja e të dënuarit me vdekje nuk mori njoftim paraprak për ekzekutimin e tij dhe lajmin e mori përmes internetit.

“Si mund të ekzekutojnë një djalë për një fotografi në telefonin e tij? Që nga arrestimi i tij, ne s’kemi njohur asgjë përpos dhimbjes. Është vdekje për së gjalli për tërë familjen”, thuhet në deklaratën e familjarëve të personit të ekzekutuar, që u publikua nga organizata “Reprieve”.

(Kosova Sot Online)