Pas pak fillon takimi mes Joe Bidenit e Vladimir Putinit, kjo është agjenda

  • E.K /
  • 16 June 2021 - 12:39
 Pas pak fillon takimi mes Joe Bidenit e Vladimir Putinit, kjo është agjenda

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do të takohet të mërkurën me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Takimi zhvillohet nën masa të rrepta sigurie në një prej shteteve më të sigurta në botë, në Zvicër.

Më saktësisht, takimi do të zhvillohet në Gjenevë, afër liqenit të famshëm të këtij qyteti, në një vilë luksoze të shekullit XVIII. Në rrugët e qytetit janë vendosur flamuj të ShBA-së e Rusisë, ndërsa policët shihen duke patrulluar me barka të shpejta në ujin e liqenit.

Presidenti Biden tashmë ndodhet në Gjenevë, ku shkoi të martën. Në orën 12 e 25, pritet që dy presidentët të takohen dhe ta bëjnë fotografinë e mirëpritjes para se të futen në një takim me grup të vogël njerëzish.

Bideni do të jetë i shoqëruar nga sekretari i Shtetit, Anthony Blinken, ndërsa Putini do të jetë i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, shkruan BBC.

Në orën 1 e 55 pritet të fillojnë bisedimet e vështira në një takim të zgjeruar mes Bidenit e Putinit, në të cilin do të marrin pjesë nga pesë ministra e këshilltarë nga secila palë. Ndryshe nga takimi i Putinit me ish-presidentin Trump, Bideni me Putinin në asnjë moment nuk do të qëndrojnë vetëm.

Pas kësaj, agjenda nuk mund të parashikohet saktësisht, sepse gjithçka do të varet nga rrjedha e diskutimeve. Raportohet se takimi mund të zgjasë katër deri në pesë orë dhe thuhet se në tavolinë nuk do të ketë ushqim.

Mes orës 17 e 18 do të ketë konferenca për gazetarë, por presidentët nuk pritet të dalin së bashku në të njëjtën konferencë. Pritet që i pari para gazetarëve të dalë presidenti rus. Në mbrëmjen e së mërkurës, të dy presidentët do të largohen nga Gjeneva.

(Kosova Sot Online)