Prokuroria e Speciales e konsideron të domosdoshëm vazhdimin e paraburgimit ndaj Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit

  • E.K /
  • 16 June 2021 - 15:01
 Prokuroria e Speciales e konsideron të domosdoshëm vazhdimin e paraburgimit ndaj Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po konsideron se vazhdimi i masës së paraburgimit ndaj Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit është i domosdoshëm.

Përmes përgjigjeve lidhur me parashtrimet e mbrojtjes së Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, për rishikimin e vendimit të gjyqtarit paraprak lidhur me masën e paraburgimit, ZPS ka thënë se vazhdimi i paraburgimit ndaj Krasniqit e Selimit vazhdon të mbetet i domosdoshëm.

Sipas ZPS-së, gjyqtari i procedurës paraprake më parë ka gjetur dyshimin e bazuar se të akuzuarit kanë kryer vepra penale kundër administrimit të drejtësisë brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, thuhet se gjyqtari kishte gjetur bazë për të besuar se përbëjnë rrezik të arratisjes, bazë se do të pengojnë mbarëvajtjen e procedurave penale dhe se do të përsërisin ose do të përpiqen të përsërisin veprat penale.

Sipas ZPS-së, të gjitha këto gjetje të gjyqtarit paraprak vazhdojnë të qëndrojnë, andaj paraburgimi ndaj të njëjtëve duhet të vazhdohet.

Tutje në këtë shkresë, sikurse në atë ku kërkohej vazhdimi i paraburgimit ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinaj, përmendet edhe një deklaratë e ushtruesit të detyrës së kryetarit të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku.

“Më 4 qershor 2021, Faton Klinaku, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dha një intervistë me të cilën ai premtoi se do të publikonte dokumente konfidenciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë nëse do t’i posedon ato”, thuhet në shkresë.

Sipas ZPS-së, kjo është e jashtëzakonshme, pasi Gucati e Haradinaj po ndiqen penalisht para Dhomave të Specializuara për sjellje identike.

“Që ligji nuk është asnjë kufizim për ushtruesin e detyrës së kryetarit të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së është emblematike e gjatësive që mbështetësit e të akuzuarve janë të gatshëm të shkojnë për të penguar këto procedura”, thuhet tutje.

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.

(Kosova Sot Online)